Xhaferi për vizitë në Turqi, takon kryetarin e Asamblesë së Madhe, Kahraman

19.04.2018 18:16

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i shoqëruar nga disa deputetë...

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i shoqëruar nga disa deputetë, sot e filloi vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë.

Xhaferi u prit nga Ismail Kahraman, kryetari i Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë. Me këtë rast, kryeparlamentari Xhaferi falënderoi për mbështetjen konsekuente dhe konstruktive të Turqisë dhe për solidarizimin me Maqedoninë në suazat e integrimeve euroatlantike, sidomos për mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO.

Kryetari i Kuvendit theksoi se “presim mbështetje edhe më të fuqizuar nga Turqia për marrjen e ftesës së merituar për anëtarësim në NATO në Samitin e ardhshëm të Aleancës në korrik të këtij viti në Bruksel”.

Derisa kryetari i Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë, Ismail Kahraman, shprehu shpresë për thellim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Maqedonisë dhe Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë.

Ai u falënderua për rolin konstruktiv të Kuvendit të Maqedonisë në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Europën Juglindore, respektivisht propozimin për zgjidhje kompromise, me qëllim të tejkalimit të ngecjes shumëvjeçare për gjetjen e zgjidhjes për selinë e Sekretariatit të kësaj asambleje parlamentare.

Njëkohësisht, ai dha përkrahje për proceset reformuese dhe politikat e fqinjësisë së mirë që i bën Maqedonia. Bashkëbiseduesit potencuan se marrëdhëniet e mira dhe intensive politike hapin hapësirë për bashkëpunim ekonomik akoma më të fuqishëm. Nevojitet thellim edhe i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes, punëve të brendshme, kulturës, drejtësisë, bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë ujore, pushtetit lokal, shëndetësisë, sportit, ambientit jetësor, punës dhe politikës sociale dhe ngjashëm.

Në kuadër të takimeve zyrtare, Xhaferi është pritur në Pallatin Presidencial në Ankara edhe nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.