Asfaltohet rruga magjistrale nëpër Kërçovë

24.07.2014 16:30

Punët ndërtimore për asfaltimin e rrugës magjistrale që kalon përreth Kërçovës, po zhvillohen sipas planifikimit dhe ato pritet të përfundojnë pas një jave, thotë drejtori i NP-së “Rrugët e Maqedonisë”, Gajurr Kadriu.........

Punët ndërtimore për asfaltimin e rrugës magjistrale që kalon përreth Kërçovës, po zhvillohen sipas planifikimit dhe ato pritet të përfundojnë pas një jave, thotë drejtori i NP-së “Rrugët e Maqedonisë”, Gajurr Kadriu, i cili së bashku me kryetarin e Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, sot inspektoi punimet që zhvillohen në këtë aks rrugor prej 4 kilometrash.

“NP “Rrugët e Maqedonisë”, deri më tani e ka realizuar 90 për qind të programit vjetor për asfaltimin e rrugëve nga Struga deri në Kumanovë dhe është e gatshme për vazhdimin e projekteve të tjera të infrastrukturës rrugore, nëse ato miratohen nga Qeveria e Maqedonisë”- u shpreh drejtori Gajurr Kadriu.

Duke i shprehur mirënjohje drejtorit Kadriu për realizimin e këtij projekti, kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, potencoi se asfaltimi i kësaj pjese të magjistrales, do të lehtësojë dukshëm qarkullimin në këtë segment rrugor tejet të frekuentuar, sidomos gjatë sezonit të verës.

“Komuna e Kërçovës, me një investim prej 30 milion denarësh, ka marrë përsipër rregullimin e rretheve, kanalizimin e ujërave atmosferike, pesetave dhe trotuareve dhe ky ndërveprim është një shembull i mirë i bashkëpunimit, që ka prodhuar efekte dhe realizime konkrete në fushën e infrastrukturës”, theksoi kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

Kjo është faza e parë e projektit, sepse gjatë periudhës që vjen, në rrugët e rajonit të Kërçovës do të realizohen edhe asfaltime të tjera, që do ta lehtësojnë qarkullimin rrugor në këto hapësira. (Shabani Dalipi, TVM2)