Maqedoni
Bisedimet rreth emrit, Dimitrov dhe Kotzias më 25 prill takim në Vjenë
20.04.2018 11:59
Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, javën e ardhshme...

Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, javën e ardhshme, më saktë më 25 prill, pritet të mbajnë takimin e radhës në Vjenë, me ndërmjetësin e OKB-së, Metju Nimitc, shkruajnë mediat greke.
Takimi është konfirmuar nga MPJ në Shkup, por jo edhe data që përflitet në mediat greke. Zëdhënësi qeveritar, Boshnjakovski, në pres konferencën e sotme pohoi se data duhet të dakordohet nga ministritë e jashtme të të dy vendeve. Sipas tij, ka optimizëm se së shpejti do të gjendet zgjidhja përfundimtare e kontestit, një zgjidhje e dinjitetshme për të dyja palët.
Sa i përket pyetjes se vendimin përfundimtar për caktimin e datës për hapjen e bisedimeve për anëtarësim e sjell këshilli i BE-së, ku Greqia sërish mund të bllokojë nëse nuk gjendet zgjidhje për emrin, Boshnjakovski doli me përgjigje se gjithçka po ecën sipas dinamikës së parashikuar.
Burime nga Athina bëjnë të ditur se pas Vjenës, ministrat të takohen edhe në Selanik, siç ishte parashikuar, e sërish, një javë më vonë, edhe në Sunio, në konferencën e parë rajonale për ardhmërinë e BE-së, ku do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit që janë tashmë anëtarë të BE-së dhe të vendeve që aspirojnë anëtarësimin, mes të cilave edhe Maqedonia e Shqipëria.
Ndryshe, Kotzias, gjatë publikimit të raportit të KE-së për përparimin e Maqedonisë, deklaroi se vendi nuk duhet të presë ftesë për anëtarësim në NATO në korrik, sepse koha për arritjen e një marrëveshjeje për emrin deri në verë, sipas tij, është shumë e shkurtër.
