Maqedoni
Dhënia e fitrave, para faljes së namazit të “Bajramit”
24.07.2014 17:56
Obligim i rëndësishëm i parimeve të fesë islame, është dhënia e sadakatulfitrit...
Obligim i rëndësishëm i parimeve të fesë islame, është dhënia e sadakatulfitrit. Afati për dhënie është deri para faljes së namazit të “Fitër Bajramit”, sepse pas kësaj, konsiderohet si lëmoshë e rëndomtë. Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së, Afrim Tahiri, sqaron kategoritë të cilave duhet tu jepen fitrat.
“Kategoria e dhënies së sadakatulfitrit, fillon nga më pak të pasurit prej 150 deri më 300 denarë. Sadakaja u jepet të varfërve, skamnorëve për zbutjen e zemrave, lirimin e robërve edhe pse kjo kategori sot nuk ekziston, apo mund të ekzistojë diku, si dhe për udhëtarët”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i BFI-së, Afrim Tahiri.
Besimtari, i cili vendos të ndihmon ndonjë familje të varfër, duhet të dijë se deri në cilën masë ka të drejtë për të ndihmuar, por edhe ata që pranojnë sadakatulfitrin, nuk duhet të tejkalojnë shumën prej 1869 euro.
“Niveli se sa duhet të pranojë një familje ndihmë, është 1869 euro, çdo besimtar, i cili posedon mbi 1869 euro, obligohet që 2.5 % nga ajo, ta japë zekat për pasurinë që ka në pronë të vet. Obligim për besimtarët është edhe dhënia e zekatit dhe për këtë ka kushte të caktuara”- theksoi Tahiri.
Obligim për besimtarët, është edhe dhënia e zekatit dhe kushtet janë të përcaktuara me saktësi.
“Çdo besimtar, i cili gjatë një viti ka pasur në pronësi mbi 1869 euro, obligohet që nga ajo shumë të japë 2.5% nga pasuria e vet për kategoritë, për të cilat Kurani famëlartë na këshillon dhe kemi obligim nga Zoti”- potencoi Tahiri.
BFI, po ashtu njofton qytetarët se në mënyrë të organizuar bën tubimin e sadakatulfitrit dhe zekatit, për nevojat e institucioneve fetaro-arsimore.
FLUTURA LATIFI
