Ekonomi
Shpenzimi i financave, Popovski: Llogari për shpenzimet, ose sanksione
20.04.2018 16:17
Qeveria zgjeron rrethin e institucioneve që do të duhet të japin llogari publike për shpenzimin e financave...

Ministri për transparencë, Robert Popovski, thotë se kanë obliguar drejtorët dhe zëvendësat e tyre të rreth 50 ndërmarrjeve publike, organeve të aparatit shtetëror, shoqatave aksionare në pronë të shtetit, si dhe organet në përbërje të ministrive që deri më 20 qershor të dorëzojmë informacionet dhe në bazë të caktimit të afatit të publikimit ato edhe t’i publikojnë në ueb faqet e tyre. Në të kundërtën, sipas ministrit Popovski, do të ketë sanksione, por pa u saktësuar të njëjtat.
“Normalisht se nëse nuk përmbushen obligimet pasojnë sanksione dhe kjo është procedurë më se e pritur dhe tejet normale. Sanksionet mund të jenë të ndryshme, vërejtje, dënim dhe të tjera, për këtë arsye nuk dua të supozoj, por gjithsecili ka obligim dhe përgjegjësi ndaj qeverisë dhe qytetarëve që të realizojnë detyrën dhe ta publikojnë raportin”,- tha ministri për transparencë, Robert Popovski.
Hoxha: Maqedonia dhe Shqipëria hapin qendrat kulturore
Qeveria gjithashtu ka vendosur të nënshkruajë marrëveshje me Shqipërinë për hapjen e qendrave kulturore të Shqipërisë në Shkup dhe Maqedonisë në Tiranë.
“Me themelimin e Qendrës Kulturore Informative të Maqedonisë në Tiranë dhe Qendrës Kulturore Informative të Shqipërisë në Shkup, presim që edhe më tej të rritet bashkëpunimi në mes dy shteteve, të thellohet bashkëpunimi kulturor dhe të krijohen kushte që punëtorët e kulturës dhe institucionet e kulturës të prezantojnë pasurinë e tyre si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.
Qeveria po ashtu ka vendosur që të niset procedura për ndërtimin e shkollës në fshatin Lubosh në komunën e Studeniçanit, si pasojë e rritjes së numrit të banorëve. Një nga prioritetet e qeverisë mbetet luftimi i lajmeve të rreme.
Popovski paralajmëroi edhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për qasje sa më të shpejtë deri tek informacionet me karakter publik, me qëllim të informimit sa më shpejtë dhe të saktë për punën e të gjitha institucioneve.
MERAL ISMAILI
