Efikasiteti energjetik, 1400 aplikime për subvencionim të dritareve PVC
Interesim i madh i qytetarëve për subvencionimin e dritareve të aluminit PVC nga shteti....

Interesim i madh i qytetarëve për subvencionimin e dritareve të aluminit PVC nga shteti. Në Ministrinë e Ekonomisë deri tani janë dorëzuar mbi 1.400 aplikime, por vetëm 1000 prej tyre do të përfitojnë nga kjo masë. Që në shpalljen për aplikim është sqaruar se përzgjedhja bëhet sipas parimit “kush vjen i pari, shpërblehet i pari”. Numri “një” i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, paralajmëron se do të kërkojë mjete shtesë për këto subvencionime.
“Deri tani kemi 1400 aplikime dhe parashikojmë që për këtë masë të subvencionojmë mbi 1000 amvisëri në Maqedoni. Ministria e Ekonomisë që nga ky moment do të jetë në komunikim me Ministrinë e Financave, por edhe me qeverinë, që në rebalancin e parë të buxhetit për vitin 2018 ne të rrisim mjetet për këto masa, duke paraparë që është një interes shumë i madh për t’u shfrytëzuar”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
KOFTORËT ME PELETA DHE KOLEKTORËT DIELLORË, BEKTESHI: MASAT SHFRYTËZOHEN NË MAKSIMUM
Programi i Ministrisë së Ekonomisë për promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit energjetik për këtë vit peshon 50 milion denarë. 14 milion u ndanë për subvencionimin e koftoreve me peleta, 6 milion për kolektorët diellorë dhe 30 milion për subvencionimin e dritareve PVC.
“Sa i përket masës së parë e cila parasheh subvencionimin e koftoreve me peleta, dua t’i njoftoj qytetarët që kjo masë është shfrytëzuar nga qytetarët në maksimum dhe nga gjithsej 645 aplikime. Ne si Ministri e Ekonomisë kemi subvencionuar 433 amvisëri, ndërsa për masën e dytë, e cila ka të bëjë me kolektorët solarë deri në momentin që flasim tani, ne në ministri kemi 925 aplikime dhe për këtë masë do të ndahen 6 milion denarë”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ministria e Ekonomisë subvencionon deri në 50% të shpenzimeve, ose maksimum 500 euro në kundërvlerë në denarë për subvencionimin e dritareve PVC, ndërsa për sistemet kolektore diellore 30% të mjeteve me maksimum 300 euro për familje. (Rexhep Qamili, TVM2)
