Mungesa e transportit urban në Tetovë, të rinjtë: Premtime shumë, realizimi zero

20.04.2018 17:26

Mungesa e transportit publik në qytetin e Tetovës ka aktivizuar të rinjtë...

Mungesa e transportit publik në qytetin e Tetovës ka aktivizuar të rinjtë e Qendrës për bashkëpunim ballkanik “Loja”.

Ata kanë protestuar në rrugët e qytetit duke kërkuar transport urban. Të rinjtë akuzojnë pushtetin vendor se shumë ka premtuar në këtë drejtim, por nuk ka bërë asgjë. Protestuesit improvizuan atë që e cilësuan “Transporti i së ardhmes”.

“Të rinjtë e qytetit tonë bashkë më vullnetarët e “Lojës”, janë organizuar për të adresuar këtë problem dhe kanë shpikur metodën e vet të transportit”,- tha një protestues.

“Është premtuar nëpër fushata elektorale por nuk është realizuar kurrë. Është përkujtim i zyrtarëve të komunës së Tetovës se është obligimi i tyre dhe përgjegjësisë nuk mund t’i ikin. Ky është një transport alternativ, e kemi emëruar “transport i së ardhmes”. Kjo është një kërkesë e vjetër dhe është dashur të bëhet goxha kohë më parë, por nuk është bërë, prandaj ne kemi afruar një alternativë nëpërmjet karrocave dhe maketeve të autobusëve për t’i paralajmëruar se aksioni ndonjëherë do më thënë shumë”,- theksoi një protestues.

Ka vite që komuna e Tetovës dhe Ministria e Transportit ia hedhin fajin njëra-tjetrës për sa i përket mungesës së transportit urban në Tetovë. Protestuesit paralajmëruan se protesta do të vazhdojë deri sa Tetova të ketë transport urban. (Visar Sadiki, TVM2)