Regjistri qendror i popullsisë, Mançevski: Nuk zëvendëson regjistrimin

20.04.2018 18:19

Një pjesë e mirë e dokumenteve, së shpejti do të mund të sigurohen në formë elektronike....

Një pjesë e mirë e dokumenteve, së shpejti do të mund të sigurohen në formë elektronike. Qeveria përgatit Propozim-ligjin për regjistrin qendror të popullsisë dhe Propozim-ligjin për menaxhim elektronik dhe shërbime elektronike, me të cilat do të sanksionohen këto çështje.

Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski, sqaroi se propozim-ligji për regjistrin qendror të popullsisë nuk zëvendëson regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive, operacion që është në kompetencë të Entit për Statistika. Ky regjistër do të jetë baza e portalit për shërbime elektronike të cilat qytetarët do të mund t’i marrin në formë elektronike më shpejt dhe më lirë, sqaroi ai.

“Jo, kjo nuk ka asnjë lidhje me regjistrimin e popullsisë, ai është krejtësisht operacion tjetër, i cili do të bëhet nga Enti për Statistika. Regjistri Qendror i Popullatës është bazë për shërbime elektronike të qytetarëve. Jemi në fazë të shpërndarjes së teknikës për këtë gjë. Paralelisht me atë po e zbatojmë edhe kornizën ligjore me të cilën do të duhet të funksionojë edhe regjistri elektronik i popullatës, por edhe portali i ri shtetëror për shërbime elektronike”,- tha ministri i administratës, Damjan Mançevski.

PASTRIMI I LISTAVE ZGJEDHORE, BEJKOVA: KRYQËZIMI I TË DHËNAVE, I PAMUNDUR AKTUALISHT

Një kryqëzim adekuat i regjistrave të institucioneve të ndryshme,do ta ndihmonte regjistrimin klasik të popullatës në të ardhmen, thotë Biljana Bejkova nga “Infoqendra”. Edhepse, sipas saj, regjistrat e institucioneve dallojnë nga njëri - tjetri dhe se sinkronizimi i tyre duket thuajse i pamundur.

“Marrë parasysh përvojën me pastrimin e listave zgjedhore, ne kemi absolutisht regjistra të papërditësuar dhe jo të kompletuar që nuk mund të sinkronizohen mes veti dhe të lidhen, kështu që me të vërtetë na pret një punë e madh në këtë aspekt. Me kryqëzim adekuat në të ardhmen shteti do të mund të bëjë një regjistrim klasik më të saktë dhe me të lehtë, por në këtë çast mendoj se është herët që të flitet për zëvendësim të regjistrimit të popullsisë me kryqëzimin e regjistrave”,- theksoi Biljana Bejkova nga OJQ “Infoqendra”.

Propozim ligjet janë hedh në debat publik, në ndërkohë pritet që organizatat, kompanitë dhe vetë qytetarët të japin mendimin e tyre në dy javët në vazhdim. (Shpëtim Nuredini, TVM2)