Anëtarësimi në NATO, Sheqerinska: Ftesë në korrik, nëse e zgjidhim emrin deri në qershor

20.04.2018 18:38

Maqedonia shpreson të marrë ftesë për anëtarësim në NATO...

Maqedonia shpreson të marrë ftesë për anëtarësim në NATO, në korrik, nëse arrin të zgjidhë çështjen e emrit deri në qershor.

Ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska, në prag të vizitës së saj në ShBA, mbetet optimiste se zgjidhje do të ketë dhe do të vijë edhe ftesa në Samitin e korrikut, edhe përskaj pesimizmit të palës greke se nuk ka kohë të mjaftueshme për zgjidhjen e emrit deri në qershor.

Nëse arrijmë zgjidhje deri në qershor, do të kemi ndryshim të gjërave në samitin e korrikut. Për ne është me rëndësi që procesi të jetë i suksesshëm. Qëllimi ynë është ftesa dhe fillimi i procesit të ratifikimit të anëtarësimit. Duam zgjidhje deri para mbajtjes së Samitit.

Çdo shtyrje mund të jetë e rrezikshme, tha Sheqerinska në brifingun me gazetarët. Sipas saj, vendi i ka përmbushur kushtet për anëtarësim në Aleancë që nga viti 2008 dhe zgjidhja e kontestit me emrin është kushti i vetëm për anëtarësim. 

Sheqerinska potencon se Maqedonia duhet të ecë paralelisht me proceset e anëtarësimit në NATO dhe BE. Sheqerinska udhëton më 1 maj drejt Pentagonit, që shënon edhe vizitën e parë zyrtare të një ministri të mbrojtjes në SHBA,     që nga viti 2010.