Personat me nevoja të veçanta, “12 pa 5” sërish në tenda para kuvendit

20.04.2018 18:47

Iniciativa qytetare “5 në 12” sërish ka vendosur tenda në parkun para kuvendit....

Iniciativa qytetare “5 në 12” sërish ka vendosur tenda në parkun para kuvendit, duke kërkuar kushte më të mira për personat me nevoja të veçanta. 

Prindërit e këtyre fëmijëve kërkojnë që të sigurohet përkujdesje falas për fëmijët me nevoja të veçanta edhe pas moshës 26 vjeçare, e sidomos edhe nëse prindërit e tyre nuk janë më gjallë.

"Me ligjin e tanishëm, fëmijët me nevoja të veçanta nuk paguajnë participim deri në 26 vjeç. Pas kësaj moshe, për ta vlen pagesa e participimit. Mos mendoni se fëmijës tim do t’i kalojë paraliza cerebrale kur të mbush 26 vjeç? Duhet patjetër të hiqet ky përcaktim. Ne kërkojmë që ata të kenë edhe ilaçe dhe kontrolle shëndetësore falas, sa kohë që janë gjallë”,- theksoi prindi, Goran Stojçevski.

“Fundi i luftës tonë është që të mund të jetojmë dhe vdesim të qetë, por të qetë mund të vdesim vetëm nëse fëmijëve tanë u sigurohet e ardhmja edhe pas vdekjes tonë dhe të njëjtën të mund ta përfitojnë nga pronat që do tua lëmë pas",- tha prindi, Zoran Mijallkov.

Kërkesat e kësaj kategorie gjithsesi janë marrë parasysh në propozim-ndryshimet e ligjit të ri që po e përgatit Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

“Ne kërkuam të ketë ndryshime në ligjin e ri që po përgatitet dhe kjo po bëhet. Por, ligji duhet të miratohet dhe implementohet, sepse aktualisht është vetëm propozim”,- deklaroi Suzana Stojanovska nga Shoqata qytetare “12 pa 5”.

Prindërit kërkojnë hapjen e qendrave rajonale për rehabilitim për personat me nevoja të veçanta, terapi adekuate dhe të ardhura mujore prej moshës 18 vjeçare për këta fëmijë. (Gyltene Sinani, TVM2)