Maqedoni

Raporti i DASH: Në Maqedoni, Shqipëri e kosovë korrupsion dhe mosndëshkimi i funksionarëve

21.04.2018 12:28

Korrupsioni dhe mosndëshkimi i funksionarëve që keqpërdorin pushtetin mbetet problem i madh në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë...

Korrupsioni dhe mosndëshkimi i funksionarëve që keqpërdorin pushtetin mbetet problem i madh në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, thuhet në raportin më të ri të  Departamentit Amerikan të Shtetit, për vitin 2017.

Në pjesën për Maqedoninë thuhet se Qeveria ka ndërmarrë disa masa për hulumtimin, ndjekjen dhe dënimin e funksionarëve të përfshirë në skenarë keqpërdorimesh, duke përfshirë këtu edhe policë të cilët janë fajtorë për përdorimin të tepruar të forcës: “Qeveria ka ndërmarrë disa hapa për të hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar zyrtarët që kanë kryer abuzime, duke përfshirë oficerët e policisë fajtor për përdorimin e tepruar të forcës, por posedimi i  imuniteteve vazhdon të jetë një problem i përhapur. Nga 15 prilli deri më 15 shtator, Prokuroria Speciale, e cila heton akuzat për korrupsion në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, ngriti 18 akuza kundër 120 të akuzuarve dhe të hapur shtatë hetimet kundër 25 të dyshuarve. Gjithashtu nisur hetimet paraprake dhe 142 sjellje haptazi kriminale në lidhje me ose që dalin nga përmbajtja e komunikimeve të përgjuara në mënyrë të paligjshme” theksohet në raportin e  Departamentit të Shtetit.

Sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut si çështje më të theksuara në Maqedoni janë raportet e torturës nga ana e sigurimit të burgjeve, përzierja në privatësinë e individëve, dhuna ndaj gazetarëve, mungesa e pavarësisë së gjykatave dhe dhuna ndaj komunitetit të LGBT-së.

Vend të rëndësishëm në raport ka zënë edhe zgjedhja e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi i cili akt vlerësohet si moment me të cilin përfundoi kriza politike dhe bllokimi i formimit të qeverisë së re. 

Në pjesën e raportit për Shqipërinë thuhet: “Ndjekja penale dhe veçanërisht shpallja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale”.

Sa i përket korrupsionit, që vlerësohet i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes gjatë vitit 2017 në Shqipëri, në raport thuhet, se mes janarit dhe gushtit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 185 hetime të reja për korrupsion.

Gjatë kësaj periudhe, 122 persona dolën në gjyq për shkelje të lidhura me korrupsionin dhe 99 u shpallën fajtorë.

Në pjesën për Kosovën raporti thekson se qeveria nuk ka zbatuar me efikasitet ligjin që mundëson përndjekjen e zyrtarëve të përfshitë në korrupsion.

"Mungesa e mbikëqyrjes efektive të gjyqësorit dhe dobësitë e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit në mënyrë rutinore iu nënshtroheshin apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte 'vjetrimin' e lëndëve pa i trajtuar rastet", thuhet në raportin e DASH.

Raporti si probleme kryesore të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit 2017 mes tjerash përfshinë edhe nismën e 22 dhjetorit të vitit 2017 të një grupi deputetësh për shfuqizimin e ligjit për themelimin e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Raporti përfshinë edhe të dhënat e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar se edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 658 personave të zhdukur gjatë luftës.

"Vëzhguesit pohojnë se rreth 70 për qind janë shqiptarë, ndërsa 30 për qind serb, rom, ashkali, egjiptas, boshnjak dhe malazez".

Në raport përmenden edhe hetimet rreth vdekjes së veprimtarit të lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, në vitin 2016.

Raporti trajton edhe të dhënat për shkeljen e të drejtave të fëmijëve, martesat e hershme dhe shfrytëzimin seksual të të miturve, përfshirjen e fëmijëve në punë të rënda fizike si dhe shkeljen e të drejtave të komunitetit LGBTI.

MERAL ISMAILI