Maqedoni

Bujar Osmani: Maqedonia morri raportin më pozitiv

22.04.2018 15:31

Zëvendës kryeministri për çështje europiane Bujar Osmani ka ritheksuar rëndësinë e raporit pozitiv të progresit për Maqedoninë...

Sipas Osmanit ky është raporti më i mirë që vendi ka marrë deri më tani, dhe kjo si rezultat i kontributit gjithpërfshirës duke u reflektuar pozitivisht edhe në ekonomi.
 
“Maqedonia në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor realizoi progresin më të madh që drejtëpërdrejtë është rezultat i realizimit të suksesshëm të planit 3-6-9, posaçërisht si rezultat i zbatimit të reformave në një procedurë transparente dhe gjithpërfshirëse. E dyta stabilizimi I krizës politike tregoi rezultate të mira edhe në fushat tjera psh, në krahasim me rajonin Maqedonia ka marrë vlerësim më të lartë edhe për gjendjen edhe gatishmërinë në kriteret ekonomike. Kjo do të thotë se industria jonë, shërbimet tona, produktet tona po I përafrohen standardeve me të cilat do të bëhen konkurrente për tregun europian”, u shpreh zv/kryeministri për çështje europiane Bujar Osmani.
 
Osmani bën një paralele midis të arriturave të Maqedonisë me vendet e tjera të rajonit. Sipas tij Maqedonia mund ta sfidon garën për tiu bashkangjitur familjes europiane.
 
“Ky është fakti që Maqedonia në aspekt të implementimit të ashtuquajturës Akis, apo në aspektin e harmonizimit të ligjeve dhe institucioneve me atë të Bashkimit Europian qëndron krah përkrah me të ashtuquajturat vende udhëheqëse Serbia dhe Mali I Zi të cilat tashmë një kohë të gjatë janë në fazë të negociatave. Kjo do të thotë se po që se fillojnë bisedimet dhe tregojmë rezultate kemi shanse të barabarta me ta për të kapur vitin 2025”, u shpreh zv/kryeministri për çështje europiane Bujar Osmani.
 
Komisioni Europian dha vlerësim pozitiv për Maqedoninë në rrugën e saj eurointegruese. Në qershor kur mbahet samiti i BE-së, Maqedonia pritet të marrë edhe datën për fillimin e bisedimeve.
 
MERAL ISMAILI