Maqedoni

Puna me kontratë, pa kontribute kalon në histori

24.07.2014 18:19

Punëdhënësit që do të angazhojnë punëtorë me kontratë në vepër ose me kontratë autoriale...

Punëdhënësit që do të angazhojnë punëtorë me kontratë në vepër ose me kontratë autoriale, do të duhet t’u paguajnë sigurim të detyrueshëm social, nëse vlera e kontratës është më e lartë se rroga minimale në vend, përkatësisht mbi 8.050,00 denarë. 
 
Propozim-ndryshimet në Ligjin për Kontribute për Sigurim të Detyrueshëm Social dhe në Ligjin për Marrëdhënie Pune, kaluan të gjitha filtrat parlamentar me procedurë të shpejtë. 
 
“Praktika dëshmoi se në të kaluarën shumë punëdhënës kanë keqpërdorur këto marrëveshje, përkatësisht angazhonin punëtorë, të cilët i paguanin me marrëveshje në vepër ose marrëveshje autoriale, të cilët nuk i nënshtroheshin sigurimit të detyrueshëm social. Këto punëtorë nuk kishin as sigurim pensional, as sigurim invalidor dhe as që u llogaritej stazh për angazhimin në punë edhe pse realizonin të ardhura nga shërbimi, vepra e kryer, përkatësisht nga puna e bërë, ato nuk i nënshtroheshin sigurimit të detyrueshëm social”- deklaroi ministri për Punë dhe Çështje Sociale, Dime Spasov.
 
“Me këtë ndryshim në Ligj, do të kenë të drejtë të fitojnë të drejtën e pensionit, d. m. th. të realizojnë të drejtën për pension sipas vjetërsisë, pension familjar dhe invalidor, ose pension më të ulët”- theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Sonja Talevska.
 
Veç kësaj, me ndryshimet ligjore parashihet edhe zhvendosja e moshës për pensionim për tre vjet me kërkesë të punëtorit, përkatësisht gratë, me vetdëshirë mund të punojnë deri në moshën 65 vjeç, ndërsa burrat deri në moshën 67 vjeç.
 
Megjithatë, dispozita sistemore nga Ligji për Sigurim Pensional-invalidor mbetet në fuqi, ku si kusht për pensionim edhe më tej është mosha 62 vjeç për gratë, 64 për burrat dhe 15 vjet stazh pune. 
 
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, tha se këto ndryshime kanë edhe mbështetjen e partnerëve social, siç janë Sindikatat dhe punëdhënësit.
 
SHPËTIM NUREDINI