Maqedoni
Pasko Kuzman, dënohet me 3 vjet burg
24.07.2014 18:33
Ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman...

Ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman, është dënuar me tre vite burg për rastin “Falanga 2”.
Nga gjithsej 16 të akuzuar, Gjykata Penale 15 ka shpallur fajtor se me leje ose autorizim kanë gërmuar artefakte në lokalitetet Demir Kapi, Shën Nikollë, Kavadar, Shkup dhe pastaj ilegalisht i kanë shitur në Maqedoni dhe jashtë vendit, ndërsa Pasko Kuzmani është akuzuar se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke u mundësuar tregtarëve artefakte, që të përfitojnë mirë.
Pala mbrojtëse është shprehur e pakënaqur nga vendimi i Gjykatës.
“Është hequr masa e burgimit shtëpiak, vazhdon procedura, por asgjë nuk është përfundimtare”- deklaroi avokati, Aleksandar Novakovski.
“Nuk ekziston asnjë artefakt, Gjykata nuk na tregoi, ndërsa ekspertizën e kryen ekspert, të cilët vetë pranuan se nuk janë ekspert, as nuk janë të licencuar, e as nuk kanë certifikata”- theksoi avokati, Zvonko Davidoviq.
Në këtë gjykim, dënim më të rëndë ka marrë Illço Bojçevski, ish-udhëheqës në Drejtorinë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, me 7 vjet e gjysmë burg dhe 15 të akuzuarit tjerë morën dënime më të vogla, prej 2 vjet e gjysmë deri në 6 vjet e gjysmë.
Gjykata e Shkupit, të gjithë i shpalli fajtor për vjedhje të artefakteve dhe gërmime të paligjshme.
SANIJE KASAMI
