Botë
Zbuten tensionet mes koreve, jugu fik megafonët e propagandës
23.04.2018 12:03
Koreja e Jugut ka fikur rrjetin e megafonëve të vendosur përgjatë kufirit me Veriun komunist dhe të përdorur si mjet informacioni për t’u treguar koreano-veriorëve se në ç’regjim jetojnë...

Vendimi i marrë nga Seuli është argumentuar me zbutjen ndjeshëm të tensioneve mes dy vendeve dhe mbërrin para takimit të nivelit të lartë, që pritet të mbahet të premten.
Megafonët përdoren për të transmetuar me zë të lartë nga muzika koreano-jugore dhe lajme kritike për Korenë e Veriut. Edhe vetë Peniani ka përgjatë kufirit të tij një rrjet të tillë propagandistik me mijëra megafonë, përmes të cilëve transmetohen edicione informative qortuese për “kapitalistët” jugorë.
Deri më tani, vetëm Seuli ka njoftuar heqjen e spinës së propagandës, ndërsa nga Peniani nuk ka asnjë informacion nëse do të ndërmerret e njëjta masë apo jo. Gjatë fundjavës, Kim Jong-un deklaroi tërheqjen nga testet bërthamore. Ai tha se nuk ka më nevojë për testime të tilla, pasi “bota e ka marrë vesh që Koreja e Veriut i zotëron ato”.
Tensionet janë zbutur edhe me Uashingtonin, që e ka mirëpritur vendimin e ndalimit të testimeve bërthamore, ndërsa të dyja palët kanë rënë dakort për një takim mes presidentit Trump dhe Kim Jong-unt në qershor.
