Maqedoni

Konteksti rreth emrit, takim i ri Dimitrov - Kotzias të mërkurën në Vjenë

23.04.2018 16:50

Të mërkurën në Vjenë pritet të mbahet takimi i radhës mes shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotcias, me ndërmjetësim të Metju Nimitcit...

Dy ministrat e jashtëm do të takohen edhe në Selanik më 3 maj, por edhe një javë më pas në Samitin në Sunio. Mediat në Greqi shkruajnë se Athina këmbëngul për ndryshime kushtetuese dhe emër për të gjitha përdorimet.

Këtë tashmë e ka bërë të qartë edhe Kotzias në intervistën që dha javën e kaluar.

Qeveria greke është nën presion teksa Demokracia e Re këmbëngul që Athina të mos bëjë lëshime ndaj fqinjit.

Këto zëra janë shtuar pasi në Greqi pala negociatore fillimisht bindte opozitën se bisedimet shkojnë në favor të palës greke, ndërsa në deklarimet e kohëve të fundit, edhe Athina pranon se po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje që do të kënaqte apo dëshpëronte njësoj të dyja palët, pra një zgjidhje kompromisi të barabartë.

Me gjithë optimizmin në Shkup, duket se ka gjithnjë e më pak gjasa që kontesti të zgjidhej para qershorit, në mënyrë që Maqedonia të arrinte të merrte ftesë për anëtarësim në Samitin e NATO-s në korrik.

Deklarata e djeshme e kryeministrit Zaev, se nuk është fundi i botës nëse bisedimet aktuale dështojnë, ka shtuar dozën e pesimizmit që dukej se ishte larguar me shpeshtimin e takimeve gjatë këtij viti të palëve negociatore dhe deklaratave optimiste pas këtyre takimeve.