Maqedoni
Rrumbullakohet Korridori 10, autostrada “Miqësia” - rruga që na lidh me BE-në
23.04.2018 17:08
Lëshohet në përdorim autostrada Demir Kapi - Smokvicë, e gjatë 28.2 kilometra, me çka rrumbullakohet Korridori 10 nëpër territorin e Maqedonisë...

Investimi kap vlerën e 218 milion eurove, e përmes saj në vit pritet të kalojnë 730 mijë vetura. Autostrada është e ndërtuar me anë të ndihmës prej 70 milion euro nga BE, pjesa tjetër me kredi nga Banka Europiane për Rindërtim, Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve, 6 milionë euro janë dhënë nga buxheti i shtetit.
Kryeministri, Zoran Zaev, tha se autostrada pritet të sjellë zhvillim ekonomik, bashkëpunim më të madh ndër-rajonal dhe integrim në tregun europian. Në të njëjtin qëndrim ishte edhe drejtori i përgjithshëm për politikë fqinjësore dhe zgjerim i BE-së, Kristijan Danielson.
“Lidhja është hap bazë në barazimin e standardeve tona rajonale me ato të BE-së kah i cili na dërgojnë këto rrugë. Kjo autostradë është një prej tyre, është autostradë që na lidh dhe na shpie drejt BE-së. Kjo pjesë e autostradës “Miqësia” në vete e ka të ndërtuar përrallën e sinqertë të mbështetjes dhe bashkëpunimit në mes Maqedonisë dhe BE-së. Është një motivim i fuqishëm për harmonizimin e strategjisë kombëtare të infrastrukturës rrugore me atë të Bashkimit Europian”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
“Me hapjen e këtyre 28.2 kilometrave në autostradën Demir Kapi - Smokvicë e shtuam pjesën e Korridorit 10, e cila mungonte në vend. Kjo autostradë do ta lehtësojë lëvizjen, do të inkurajojë zhvillimin ekonomik dhe do të sigurojë udhëtim më të sigurt”,- theksoi drejtori i përgjithshëm për politikë fqinjësore dhe zgjerim i BE-së, Kristijan Danielson.
“Autostrada disponon me tre korsi të trafikut nga të dyja anët, dy tunele me gjatësi prej mbi 1 kilometër, që janë tunelet më të gjata në Maqedoni. Qendra kontrolluese në Negotinë do të ketë monitoring 24 orësh për gjithë trafikun që zhvillohet në tunele”,- tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski.
Kjo ngjarje shënoi fillimin e fushatës "BE për ju" për investimet e Bashkimit Europian në infrastrukturën e transportit. Gjatë viteve të fundit, Bashkimi Europian ka investuar rreth 325 milion euro në infrastrukturën e transportit të Maqedonisë.
Me këto mjete janë ndërtuar mbi 100 km të rrjetit të autostradës janë ndërtuar dhe restauruar 64 km rrugë në më shumë se 40 komuna dhe 60 vendbanime, 16 km hekurudhë dhe 11 stacione hekurudhore.
ERSAN PAJAZITI
