Maqedoni
Rreth i ri bisedimesh Dimitrov-Koxias, Ruzhin: Maqedonia mund të marrë ftesë edhe pas Samitit
23.04.2018 17:55
Ambiciet për zgjidhjen e kontestit rreth emrit para Samitit të NATO-s po veniten nga java në javë...

Ambiciet për zgjidhjen e kontestit rreth emrit para Samitit të NATO-s po veniten nga java në javë, megjithatë nuk dihet se çfarë mund të sjellë rrethi i radhës i bisedimeve. Ministria e Jashtme konfirmoi takim gjatë të mërkurës, i cili do të mbahet në Vjenë me ndërmjetësim të z. Nimic.
Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, thotë se me rëndësi është që Maqedonia të shënojë progres në zgjidhjen e kontestit, ndërsa ftesën për anëtarësim në NATO mund ta marrë në çdo kohë, konform konkluzës në Samitin e Bukureshtit.
“Nëse nuk zgjidhet çështja e emrit, përkatësisht nëse nuk sigurohet shumicë prej dy të tretat, nëse shtyhen bisedimet, ky nuk është fundi, pasi Maqedonia nuk është si shtetet e tjera aspirate, që të presë samit për ta pranuar. Konform komunikatës përfundimtare të Samitit të Bukureshtit, Maqedonia mund të marrë ftesë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në NATO, e cila zgjat nga 8-9 muaj deri në 11 muaj, pasi edhe parlamentet e vendeve anëtare duhet ta pranojnë. D.m.th. Maqedonia mundet në takim të zakonshëm të ambasadorëve të rregullt të NATO-s në Bruksel të marrë ftesë për anëtarësim”,- tha profesori i universitetit, Nano Ruzhin.
Ndërkaq, profesori universitar, Bashkim Selmani, dyshon se kontesti mund të zgjidhet para Samitit dhe pa kushtëzime, pavarësisht qëndrimit pozitiv të qeverisë dhe miqve perëndimorë. Sipas tij, vazhdojnë përpjekjet dhe nxitjet për moszgjidhjen e problemit nga krahu i Rusisë. Veç kësaj, ai thërret në syçelësi të palës shqiptare.
“Unë mendoj që elementi shqiptar është më i rrezikuar edhe në të ardhmen, sepse nuk ka një strategji të përbashkët e cila do të ndryshojë edhe gjendjen juridike, pasi nuk është lexuar mirë gjendja faktike, kur dihet se 1/3 e popullsisë e RM-së janë shqiptarë, që d.m.th. se do të na humb edhe këtë pjesë të legjitimitetit juridik që e kemi në aspektin kushtetues”,- theksoi profesori i universitetit, Bashkim Selmani.
Edhe opozita greke nuk pret zgjidhje para Samitit. Madje, personi përgjegjës i partisë opozitare Demokracia e Re, Jorgos Kumucakos, në një intervistë për gazetën Riëll Njuz thotë se opozita ka ftuar qeverinë që të arrijë marrëveshje e cila do të jetë e kompletuar, e plotë dhe përfundimtare, “që do të dallojë, në formë të qartë dhe të plotë, fqinjin tonë verior nga Maqedonia”,- theksoi Kumucakos.
SHPËTIM NUREDINI
