Maqedoni

Bisedimet për emrin, Nimic të hënën në Shkup

24.07.2014 18:49

Ndërmjetësi në bisedimet për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic...

Ndërmjetësi në bisedimet për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë,  Metju Nimic, javën e ardhshme do të vizitojë Maqedoninë dhe Greqinë. Më 28 dhe 29 korrik, ai do të qëndrojë në Maqedoni, ndërsa për në Athinë do të udhëtojë më datën 30 korrik.
 
Në kumtesën e Kombeve të Bashkuara, shkrua se “Qëllimi i takimeve është që të intensifikohen bisedimet nën patronatin e KB-së, drejt gjetjes së zgjidhjes së pranueshme të ndërsjellë për kontestin me emrin”.
 
Ndërsa në takimin e 11-të të Këshillit për Stabilizim dhe Asocim mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, autoritet evropiane kanë vlerësuar se vendi ende nuk ka bërë tejkalimin e problemeve kryesore në rrugën e saj integruese dhe kanë dërguar mesazhe për rikthimin e dialogut politik, përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, përmbushjen e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe krijimin e Gjykatave të pavarura dhe cilësore.
 
“Bashkimi Evropian, inkurajon vazhdimin e zbatimit të plotë dhe me vëmendje të Marrëveshjes së Ohrit. Ne gjithashtu folëm për rëndësinë e ndërtimit të urave në aspekt politik brenda Parlamentit, në aspektin shoqëror me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e medieve në aspektin etnik, përmes bashkësive të ndryshme etnike në Shtet, si dhe me fqinjët në rajon”- deklaroi Zëvendës-sekretari i Ministrisë së Jashtme të Italisë, Della Vedova.
 
Por, zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi dhe Ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, u shprehën se prioritetet e Presidencës italiane me BE-në janë pozitive, ndërsa e vlerësuan si jo të rregullt marrjen e vendimit që Maqedonisë të mos i jepet data për fillimin e negociatave për anëtarësim.
 
“Ne punën tonë do ta bëjmë, presim që në periudhën e ardhshme po ashtu të ketë përparim”- theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
 
“Mënyra e vetme për funksionimin e këtij projekti paqësor dhe të suksesshëm, është përmes ndarjes së çështjeve bilaterale dhe mundësisë që këto çështje të zgjidhen paralelisht me procesin integrues. Nga ky aspekt, mendoj se diagnozën e ndajmë të gjithë si të tillë. Në lidhje me masat, të cilat duhet të merren, mendoj se ajo është çështje që duhet të adresohet nga ana e vendeve anëtare të BE-së,  të cilat kanë pjesë të tyre në sjelljen e vendimeve të Këshillit, ndërsa nga ana jonë, duhet të përpiqemi në këtë periudhë të plotësojmë sa më tepër kritere që është e mundur, për anëtarësim të plotë, që ajo që për momentin nuk është në rregull, të rregullohet dhe të jemi në mundësi që të jemi pjesë e BE-së”- potencoi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
 
Autoritetet evropiane në Bruksel, kanë përsëritur kritikat për gjendjen me lirinë e shprehjes dhe të medieve dhe kërkuan nga Maqedonia që të bëjë gjithçka që është e mundur, për të krijuar një kulturë pozitive mediatike. 
 
MEFAIL ISMAILI