Botë
Tusk në Tiranë, Shqipëria bëri mjaftueshëm për fillimin e bisedimeve
24.04.2018 17:45
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, është i bindur se Shqipëria ka bërë mjaftueshëm për të hapur negociatat në qershor...

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, është i bindur se Shqipëria ka bërë mjaftueshëm për të hapur negociatat në qershor, por bindja e 28 vendeve anëtare, sipas tij, do të jetë një rrugë e vështirë e plot pengesa.
“Unë mendoj se Shqipëri ka bërë absolutisht mjaftueshëm, por bindja e vendeve anëtare do të ngjajë më shumë me një rrugë me pengesa se sa me një autostradë”,- theksoi presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Nga ana e tij, kryeministri Rama e falënderoi kreun e Këshillit Europian për mbështetjen dhe tha se sfidat tejkalohen gjatë procesit të diskutimeve për anëtarësim.
“Jemi të vetëdijshëm për sfidat, por po ashtu e dimë se këto sfida mund të tejkalohen duke punuar së bashku”,- tha kryeministri, Edi Rama.
Donald Tusk nuk pati takime të tjera në Tiranë dhe vijoi turin e tij në Ballkanin Perëndimor, për të ndarë perspektivën e BE-së e për t’u zgjeruar drejt rajonit.
LULJETA NDOKA
