Botë
OKB dhe BE bëjnë thirrje për rinisjen e bisedimeve të paqes për Sirinë
24.04.2018 20:44
Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje që të rinisin bisedimet politike...

Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje që të rinisin bisedimet politike, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit 7-vjeçar sirian, duke thënë se fitimet e fundit territoriale nga Damasku zyrtar dhe aleatët e saj, nuk e kanë sjell më afër paqen.
I dërguar i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura dhe shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini janë takuar sot, me qëllim që të shtojnë përpjekjet për rinisjen e bisedimeve të paqes në Gjenevë, që mbështeten nga OKB-ja.
Në tetë raundet paraprake të bisedimeve është bërë pak progres. Rusia dhe Irani, aleatët kryesorë të presidentit sirian, Bashar al-Assad, vitin e kaluar, së bashku me Turqinë kanë nisur një proces të ndarë negociator, në kryeqytetin kazak, Astana.
“Fitimet ushtarake, fitimet e territoreve dhe përshkallëzimi ushtarak nuk sjellin zgjidhje politike, përkundrazi, nuk kanë sjellë asnjë ndryshim”, ka thënë de Mistura në një konferencë për media./evropaelire
