GAZA

Gaza, 800 të vdekur nga sulmet izraelite

25.07.2014 15:15

Dy të vdekur e 200 të lënduar edhe në protestat kundër ofensivës izraelite në Gaza, kur të paktën 10 mijë protestues marshuan nga Ramallahu drejt Jeruzalemit, ku nisën edhe përleshjet me forcat izraelite......

Ka arritur në 800 të vdekur bilanci i viktimave që nga nisja e operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. Sulmi i fundit i   artilerisë izraelite, ka shkatërruar një shtëpi në Khan Junis, në jug të Gazës, duke shkaktuar viktimat e radhës.

Dy të vdekur e 200 të lënduar edhe në protestat kundër ofensivës izraelite në Gaza, kur të paktën 10 mijë protestues marshuan nga  Ramallahu drejt Jeruzalemit, ku nisën edhe përleshjet me forcat izraelite. Protestuesit bllokuan një rrugë kryesore, duke i vënë zjarrin disa gomave. Gjithashtu ata qëlluan edhe me gurë në drejtim të Forcave të Sigurisë, të cilat u përgjigjën duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Kjo protestë në bregun perëndimor, është cilësuar nga mediet vendase si lëvizja më e madhe e palestinezëve që prej viteve 2000-2005.

Mbrëmë, të paktën 15 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur, kur një shkollë e menaxhuar nga OKB-ja dhe që shërbente si strehim në Gaza, është bombarduar nga sulmet izraelite. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë. Qindra palestinezë ndodheshin në këtë shkollë, në Beit Hanun, pasi ishin larguar nga zonat e përfshira nga lufta.

Që prej fillimit të ofensivës izraelite, kanë mbetur të vrarë më shumë se 800 persona, nga të cilët 33 janë izraelitë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)