Botë
Pakti bërthamor, kërcënon Irani: Oo u ndryshua, dalim nga traktati
25.04.2018 14:38
President iranian, Hassan Rouhani, ka hedhur dyshime mbi legjitimitetin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë...

President iranian, Hassan Rouhani, ka hedhur dyshime mbi legjitimitetin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë të tyre për të ndryshuar paktin bërthamor me vendin e tij.
Udhëheqësit amerikanë e francezë njoftuan të martën se po punonin për një “marrëveshje të re” që do të zgjeronte dhe zgjaste kushtet e akordit të vitit 2015. Por, Rouhani tha se ata nuk kanë asnjë “të drejtë” për të rinegociuar marrëveshjen e arritur mes 7 shteteve. Ai cilësoi gjithashtu presidentin amerikan, Donald Trump, si një “tregtar” të pakualifikuar për të komentuar mbi traktatet globale.
Trump është shprehur më herët se Shtetet e Bashkuara do të rivendosnin sanksionet mbi Iranin, të cilat u pezulluan sipas marrëveshjes më 12 maj, derisa Kongresi dhe fuqitë europiane të rregullojnë “gabimet katastrofike”, siç i cilësoi.
Rouhani theksoi se Irani ka treguar vullnetin ndaj botës kur nënshkroi akordin dhe se ka kërkuar prej atëherë të provojë se “Republika Islamike nuk ka për synim krijimin e armëve të shkatërrimit në masë”. Ai paralajmëroi se do të ketë “pasoja të rënda”, nëse Shtetet e Bashkuara do të rikthenin sanksionet.
Nuk dha detaje të mëtejshme, por zyrtarë iranianë janë shprehur se pasurimi i uraniumit mund të rikthehet edhe më i fuqishëm brenda ditësh, nëse do rikthehen sanksionet, dhe se vendi mund të tërhiqet nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.
