SOPISHTE

Sopishtë, 3 nga të lënduarit në gjendje të rëndë

25.07.2014 15:27

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov, këta persona janë hospitalizuar dhe po marrin terapitë e nevojshme......

Tre persona me lëndime të rënda trupore gjatë fatkeqësisë që ndodhi mbrëmë në fabrikën për mjete piroteknike në Sopishte, ende janë në  rrezik për jetë.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov, këta persona janë hospitalizuar dhe po marrin terapitë e nevojshme.

“Të tre pacientët e kanë të rrezikuar jetën e tyre, janë të kyçur në respirator dhe po marrin terapitë e nevojshme, siç janë infuzionet, hidratimi dhe sigurimi i lëngjeve të mjaftueshme, në mënyrë që të mbahen në jetë”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Dy pacientët, të cilët mbrëmë janë hospitalizuar në Klinikën Kirurgjike të Ohrit, kanë të djegura të shkallës së tretë, që kanë përfshirë 90 % të lëkurës. Mjekët po bëjnë përpjekje maksimale për mbajtjen në jetë të funksioneve të tyre vitale.

“Janë sjellë me djegie të lëkurës mbi 90 %. Te njëri u intervenua në mënyrë kirurgjike të hapen rrugët e frymëmarrjes, që do të thotë se kjo gjendje flet për seriozitetin e lëndimeve. Gjendje e njëjtë vërehet edhe te pacienti tjetër, kështu që për fat të keq, tani mund të konstatojmë se janë në gjendje kritike. Po ashtu edhe gruaja, e cila është vendosur në Klinikën Intensive, është në rrezik jete me djegie të shkallës së katërt”- theksoi doktori, Ljuben Arsenov.

“Bëhet fjalë për zjarr të shoqëruar nga një  eksplozion. Menjëherë kemi intervenuar për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë sipërfaqe prej 30 m2 dhe menjëherë u kërkua Ndihma e Shpejtë për punëtorët e lënduar”- potencoi Bllagoja Menkovski nga Njësiti i Zjarrfikësve.

Ministria e Ekonomisë, ka krijuar Komision për të analizuar se si i është dhënë kësaj kompanie leja për të kryer veprimtari me mjete piroteknike.

Komisioni verifikoi se lejet janë në pajtim me Ligjet dhe procedurat dhe firma i ka të gjitha lejet dhe dokumentacionet e lëshuara nga Ministritë e Ekonomisë, Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, siç parashihet me Ligj dhe është e regjistruar në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë, në bazë të vendimit të Qeverisë  për ushtrimin e këtij aktiviteti. (Flutura Latifi, TVM2)