Maqedoni
Kontesti i emrit, Azemi: Ndikimi rus vështirëson zgjidhjen
25.04.2018 17:04
Procesi i zgjidhjes së çështjes së emrit po ecën në drejtimin e duhur, por është mjaft kompleks për të gjetur zgjidhje...

Opinionisti, Emin Azemi, në “Argument” në TVM2, thotë se kontesti vështirë të përmbyllet para Samiti të NATO-s në korrik, pasi, sipas tij, midis palëve negociatore qëndron ndikimi rus.
“Unë jam shumë i sigurt se Greqia është nën ndikim të Rusisë për moszgjidhje të problemin. Është një Greqi që është e varur nga perëndimi dhe një problem me Maqedoninë këta nuk mund ta zgjidhin dhe është një dilemë për mua ende e madhe. Unë nuk kam ende sqarim se pse e kanë lënë këtë problem të varur, por tani është periudha e Samiti të NATO-s, por edhe kjo nuk paraqet shkop magjik që i zgjidh problemet”,- theksoi opinionisti, Emin Azemi.
Memeti: politika gjermane do të japë zgjidhje
Ndërkaq, analisti, Ibrahim Memeti, doli me vlerësim ndryshe, se politika gjermane do të ndikojë mbi zhvillimet politike në Ballkan që t’i iket një kaosit të ri.
“Politika gjermane është e vendosur që mos të lejojë Ballkanin të jetë pre e proceseve, sepse proceset mund të jenë të pafund. D.m.th. duhet të ketë një kornizë ku thuhet deri në këtë vit me këto kushte duhet të përmbyllet kjo çështje, përndryshe do të kemi kaos të ri. Unë shpresoj se kjo nuk do të ndodh”,- tha analisti, Ibrahim Memeti.
Musliu: procesi i zgjidhjes, të vazhdojë
Analisti, Albert Musliu, thotë procesi po ecën në binarë të duhur dhe në rast të mospërmbylljes i njëjti do të duhet të vazhdojë.
“Nëse tajmingu edhe dinamika ose mungesa momentale e kreativitetit politik që të gjendet zgjidhja mungon, i gjithë procesi do të vazhdojë, edhe unë jam shumë i bindur se procesi do të vazhdojë deri në përmbylljen e negociatave. Ajo nënkupton referendum, nënkupton ratifikim të marrëveshjes te pala greke, eventualisht mund të nënkuptojë ndryshim të Kushtetutës, i cili do ta garantojë atë marrëveshje. Nuk duhet të kemi ndonjë pesimizëm”,- theksoi analisti, Albert Musliu.
Analistët konsiderojnë se si pjesë e përmbushjes së standardeve europiane është reformimi në drejtësi me kuadro të reja, integrimi i PPS-së në prokurorinë e rregullt dhe zbardhja e proceseve të montuara. Gjithashtu kërkohet edhe përfshirja e shoqërisë dhe më shumë sinqeritet nga ana e opozitës në procesin reformator në vend.
MERAL ISMAILI
