Maqedoni
Vjenë, vazhdojnë negociatat për emrin, Zaev: Çdo takim, një mundësi për zgjidhje
25.04.2018 17:43
Shkupi dhe Athina kanë vazhduar negociatat për zgjidhjen e kontestit rreth emrit në Vjenë të Austrisë...

Bazuar në klimën e deritanishme dhe pajtueshmërinë që kanë arritur për pjesën më të madhe të çështjeve, palët janë optimiste që do të shënojnë progres në pjesën e mbetur, që, siç thonë, paraqet pjesën më të vështirë të negociatave, siç është shtrirja e përdorimit, eliminimi i çështjeve që nxisin irredentizmin dhe korniza kohore. Kryeministri Zaev thotë se në çdo takim sheh mundësi për hapërim përpara.
“Ka progres që na jep arsye të besojmë se sërish mund të hapërohet në Vjenë, respektivisht ta shfrytëzojmë secilën mundësi të afrohemi drejt zgjidhjes përfundimtare”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Sipas Zaevit, zgjidhja e çështjes së emrit është e rëndësishme për rajonin dhe mesazh se edhe çështjet që zgjasin më shumë se 20 vjet mund të zgjidhen përmes dialogut.
Por, zëdhënësi i Qeverisë greke, vetëm pak orë para fillimit të takimit në Vjenë, tha se Greqia ka bërë mjaft lëshime dhe se radhën e ka Maqedonia, duke theksuar dy qëndrimet fikse të Greqisë.
“Dy parakushtet konkrete janë: emër i përbërë dhe emër për përdorim të përgjithshëm “erga omnes”, diçka për të cilën duhet të modifikohet emri kushtetues i fqinjit”, – tha Dimitri Xanakopulos.
Mediat greke, nga ana tjetër, paralajmërojnë për të enjten takim mes ministrit grek Koxias dhe sekretarit gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, në fokusin e të cilit do të jetë kontesti rreth emrit me Maqedoninë dhe marrëdhëniet me Turqinë.
Në ndërkohë, Qeveria greke ka reaguar ndaj deklaratës së eurokomisarit Han se kontesti mund të zgjidhet brenda dy javësh.
“E ftojmë komisionarin Han të mos japë pamje të gabuara mbi negociatat, të cilat, siç tregojnë gjasat, nuk i kupton. Më e pakta që mund të bëjë është të ndalojë minimin e tyre”,- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke, publikuar mbrëmjen e së martës.
SHPËTIM NUREDINI
