Maqedoni

Raporti i Avokatit të Popullit para deputetëve, 4000 parashtresa për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut

25.04.2018 18:13

Zyra e Avokatit të Popullit vitin e kaluar ka pasur mbi 4 mijë parashtesa për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut...

Një pjesë e tyre kanë të bëjnë me shtyrjen e pajustifikuar të procedurave gjyqësore, drejtësinë selektive dhe gjyqësorin joefikas, vdekjet e shpeshta nëpër burgjet e vendit, mobingun në punë, si dhe mosndëshkimin e policëve që veprojnë kundër ligjeve. Në raport u theksua edhe mosrespektimi i imunitetit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së gjatë arrestimit për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. 
 
“Edhe gjatë vitit të kaluar ka qenë e pranishme drejtësia selektive, administrata joefikase dhe partiake, gjë që është pengesë kryesore për respektimin e të drejtave të njeriut. Përmbarues sistematikë që godasin kategorinë më të varfër të qytetarëve, probleme me realizimin e ndihmës sociale, shëndetësore. Patëm vdekje të shpeshta të personave nëpër shtëpitë ndëshkuese, diskriminim nëpër të gjitha fushat, gjyqësi dhe prokurori publike joefikase dhe polici e cila tejkalon zbatimin e forcës policore”,- deklaroi zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.
 
Vërejtje edhe për bllokimet e pajustifikuara të xhirollogarive të qytetarëve dhe kostos së lartë të përmbarimit që u llogaritet qytetarëve për borxhin. 
 
“Prej veprimit të ankesave të qytetarëve për punën e përmbaruesve, konsiderojmë se në këtë drejtim nuk ka fare asnjë përmirësim pozitiv edhe pse në të shumtën e rasteve qytetarët borxhlinj, përmbarues, janë lënë fare pa të holla”,- tha zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.
 
Nga Zyra e Avokatit të Popullit tani mëtutje janë në pritje se këto vërejtje do të gjejnë vend në agjendën e autoriteteve për të përmirësuar gjendjen e respektimit të të drejtave të njeriut.
 
REXHEP QAMILI