Kontroll trafikut në pikat pagesore përmes celularit
Të gjithë qytetarët dhe shtetasit e huaj, do të informohen për mënyrën e pagesës, gjendjes rrugore dhe informacionet rreth largësisë prej një vendi deri te tjetri përmes këtij aplikacioni......

“JPDP kamera”, është aplikimi i ri në telefonat tuaj celular. Ky aplikacion i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, mundëson “Live streeming” në të gjitha pikat pagesore dhe vendkalimet kufitare në Maqedoni.
Të gjithë qytetarët dhe shtetasit e huaj, do të informohen për mënyrën e pagesës, gjendjes rrugore dhe informacionet rreth largësisë prej një vendi deri te tjetri përmes këtij aplikacioni.
Për momentin, aplikacioni është vetëm në maqedonisht, por nga kjo ndërmarrje premtojnë se shumë shpejt do të funksionojë edhe në gjuhën shqipe dhe angleze. Përveç kësaj, nëpër pikat pagesore do të shpërndahen edhe fletushka, nga të cilat shoferët do të mund të informohen saktë për çmimin e çdo pike pagesore të veçantë në euro dhe në denarë. Prej datës 11, deri më 24 korrik, kur janë rritur çmimet e taksave pagesore rrugore, në arkën e kësaj ndërmarrje kanë hyrë rreth 35 për qind më shumë të holla se sa muajin e kaluar.
“Sipas të dhënave fillestare që i posedojmë, deri më sot, 24 korrik, kemi regjistruar rritje të numrit të qytetarëve nëpër pikat pagesore dhe kemi shënuar rritje të taksës rrugore për rreth 35 për qind. Ndërsa sa i përket kuponëve tatimor që u japim në pikat pagesore, mund t’ju them se aty është shënuar saktë sa është pagesa e taksës rrugore në euro dhe në denarë. Taksa rrugore në euro është pak më e shtrenjtë, për shkak se monedhat e hekurit në euro kanë vlerë më të ulët”- deklaroi drejtori i NP-së “Rrugët Shtetërore”, Ljupço Gjorgjevski.
Nga ndërmarrja publike“Rrugët Shtetërore”, bëjnë të ditur se në të ardhmen është planifikuar dhe rikonstruimi i të gjitha pikave pagesore në Maqedoni. (Rexhep Qamili, TVM2)
