Maqedoni

Rinovohen shkollat me fonde nga FEBP dhe BEZh, “25 maji” në Hasanbeg shkollë tërësisht digjitale

25.04.2018 18:25

Shkolla Fillore “25 maji” në Hasanbeg po rinovohet me mjetet e Fondit të përbashkët europian për Ballkanin Perëndimor...

Shkolla Fillore “25 maji” në Hasanbeg po rinovohet me mjetet e Fondit të përbashkët europian për Ballkanin Perëndimor, por edhe me ndihmën e Bankës për Zhvillim pranë Këshillit të Europës. “25 maji” tashmë është kthyer në një shkollë digjitale pasi të gjitha klasat janë të pajisura me tabela “të mençura”.
 
“Prej klasës së parë deri në klasën e nëntë janë të furnizuar të gjitha klasat  me tabela smart interkativë, që mësimi të jetë më efikas, ku edhe nxënësit do të kenë njohuri më tëpër. Shkolla jonë tani ka nevojë për modernizim me mjete ndihmëse didaktike që procesi edukativ-arsimor të jetë më i lehtë dhe më i kuptueshëm për nxënësit e kësaj shkolle”,- deklaroi drejtori i Shkollës “25 Maji”, Fadil Murtezani.
 
Ambasadorët e vendeve evropiane, që janë njëkohësisht edhe vende donatorë  në Fondin e përbashkët europian për Ballkanin Perëndimor, vëzhguan nga afër punimet e realizuara në shkollat “Naum Naumovski - Borçe” dhe “25 maji”.
 
“Sot u vërtetuam se ky fond sjell benefite si për Shkollën “25 maji” edhe për  Shkollën “Naum Naumovski - Borçe” dhe kjo do të jetë në dobi të gjeneratave të reja. Jam i sigurt se çdo cent do të investohet për të mirë”,- tha ambasadori i Gjermaninë në RM, Tomas Gerberih. 
 
Ministrja e Arsimit u bëri thirrje kryetarëve të komunave që t’i orientojnë prioritetet e tyre ndaj investimit në procesin arsimor.
 
“Për momentin kemi bërë shpallje për furnizime publike për rekonstruimin e 13 shkollave të lokalizuara në RM. Ka filluar ndërtimi i katër sallave sportive në këtë periudhë, ndërsa në maj do të fillojmë edhe një të re”,- tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska.
 
Në Sh. F. “25 maji”, përmes projektit për rehabilitim të shkollave të mesme dhe fillore, janë investuar rreth 415 mijë euro, prej të cilave 300 mijë euro mjete nga Fondi i përbashkët europian për Ballkanin Perëndimor.
 
GAZMEND KURTISHI