Maqedoni

Ulja e akcizës, VMRO me propozim ligj, PRDM kundër

25.04.2018 19:02

Në Raportin e progresit, KE i bëri thirrje qeverisë të ndryshojë politikën tatimore, veçanërisht në pjesën e akcizave...

Dhe tashmë qeveria po punon për zgjidhjen ligjore rreth ndryshimit të përllogaritjes së akcizave gjatë importit të lëndëve djegëse.
 
VMRO thotë se ka gati dhe do të dorëzojë në kuvend propozim ligjin për uljen e akcizës së naftës, duke akuzuar LSDM-në se ende pa mbushur një vit në pushtet rriti për 30% çmimin e dizelit.
 
Rritja e akcizës, sipas tyre, solli edhe rritjen e çmimit me pakicë të dizelit. 
 
“Qeveria në krye me kryeministrin, Zoran Zaev, në vazhdimësi po varfëron qytetarët e Maqedonisë. Rritja e akcizës së dizelit për 3.5 denarë ishte dhe mbetet goditje e madhe financiare për ta. Një qytetar mesatarisht për shkak të rritjes së akcizës shpenzon 200 denarë më shumë në muaj, ose në nivel vjetor shpenzon 2.400 denarë më shumë. Prej marrjes së pushtetit e deri më sot, LSDM përmes rritjes së kësaj akcize në mënyrë galopante rriti çmimin e dizelit për 30%”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev.
 
Nga LSDM i quajnë gënjeshtra akuzat e VMRO-së, se rritja e akcizës ka ndikuar në rritjen e çmimit të pakicës.
 
Në çmimin e përgjithshëm të produkteve, energjencët përfshihen me 10%, e kjo është e papërfillshme për çmimin përfundimtar, thonë nga LSDM, nga e cila akuzojnë VMRO-në se po përpiqet që me lajme të rreme të manipulojë me opinionin.
 
Qeveria e LSDM-së drejton vendin me nikoqirllëk, duke kontribuuar në rritjen ekonomike, ndryshe nga paraardhësit e saj dhe kjo vërtetohet edhe në parametrat ekonomikë dhe raportet e institucioneve të njohura ndërkombëtare. 
 
Kundër propozimit të VMRO-së, ndërkohë, ka dalë edhe Partia për Ripërtëritje Demokratike, e cila vlerëson se rritja e çmimit të karburanteve ka si qëllim uljen e përdorimit të dizelit për të mbrojtur ambientin jetësor.
 
GAZMEND REXHEPI