Claudio Ranieri zyrtarizohet te Greqia

25.07.2014 15:53

Me përfaqësuesen helene ish tekniku i Monacos firmosi një kontratë 2-vjeçare ndërkohë që në komunikatën e Federatës nuk bëhen të ditura termat ekonomikë të marrëveshjes.....

Claudio Ranieri rinis gjithçka nga Greqia. Trajneri italian u zyrtarizua nga Federata Greke e Futbollit si tekniku i ri i kombëtares, duke marrë kështu vendin e të larguarit Fernando Santos.

Me përfaqësuesen helene ish tekniku i Monacos firmosi një kontratë 2-vjeçare ndërkohë që në komunikatën e Federatës nuk bëhen të ditura termat ekonomikë të marrëveshjes. Menjëherë pas firmës erdhën edhe fjalët e para të Rainerit si trajner i kombëtares ballkanase.

”Kam marrë edhe shumë oferta të tjera megjithatë marrëdhëniet e mira mes meje dhe presidentit të Federatës Greke të Futbollit Giorgos Sarris bënë që unë të merrja këtë vendim” - u shpreh 62-vjeçari nga Roma në intervistën e tij.

“Kam ndjekur ndeshjet e Greqisë në Botëror dhe kam vënë re se kjo skuadër është rritur shumë. E vlerësoj shumë mentalitetin që kanë futbollistët dhe besoj se së bashku do të arrimë shumë suksese”- vijoi më tej Ranieri.

Objektivi i parë për ish trajnerin e Romës, Juventusit dhe Interit në krye të stolit të Greqisë është të kualifikojë kombëtaren helene në Euro 2016 që do të zhvillohet në Francë. Greqia është skuadra e parë përfaqësuese që trajneri italian do të drejtojë në karrierën e tij.