Rasti “Titanik” shtyhet për më 2 maj, pritet vendimi për ndërrimin e gjykatësve

26.04.2018 14:13

Gjykimi për rastin ‘Titanik” është shtyrë për më 2 maj...

Gjykimi për rastin ‘Titanik” është shtyrë për më 2 maj, sepse ende nuk është marrë një vendim për ndryshimin e gjykatësit, ashtu siç kërkon pala mbrojtëse e të dyshuarve.

Kjo shtyrje ka bërë që në gjykatë të mos paraqiten të akuzuarit kryesorë që gjenden aktualisht në arrest shtëpiak, Edmond Temelko dhe Munir Pepiq.

Gjykimit sot i mungoi edhe ish-ministrja e brendshme, Jankullovska, e cila mungesën e arsyetoi me pushim mjekësor.

Të dyshuarit e tjerë ishin në sallën e gjyqit. Janë 21 të tillë të dyshuar për rastin “Titanik”, që akuzohen për më shumë vepra penale që kanë të bëjnë me parregullsi zgjedhore. Në gjykatë ishin sot edhe ish-kryeministri Gruevski, ish-ministri i transportit, Janakievski, ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Bozhinovski, dhe deputeti, Ilia Dimovski.

Kërkesën për ndryshimin e gjykatësve e ka bërë mbrojtja e Edmond Temelkos, pas deklaratës së kryeprokurores speciale, Katica Janeva, që në një emision televiziv tha se disa gjykatës janë përgjuar në mënyrë antiligjore, por ata ende gjykojnë në  lëndët e PSP-së.

Nuk bëhet e ditur se kush janë gjykatësit e përmendur, por në gjykimin e kaluar për rastin “Titanik”, mbrojtja kërkoi të ndërrohen gjykatësit dhe këshilli gjyqësor për këtë rast, kryetari i gjykatës themelore Shkupi 1 dhe zëvendësi i tij, bashkë me kryetarin dhe zëvendësin e Gjykatës së Apelit.