Sheqerinska: Treguam se e meritojmë të jemi anëtare të NATO-s

26.04.2018 14:43

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska...

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, do të qëndrojë për një vizitë disaditore në ShBA.

Takimi më 1 maj me sekretarin amerikan të mbrojtjes, Xhejms Matis, paraqet njëkohësisht edhe takimin e parë zyrtar të një ministri të mbrojtjes nga Maqedonia, pas shumë vitesh.

Vizita realizohet në prag të samitit të NATO-s që mbahet në korrik në Bruksel. Për Sheqerinskën, vizita është një mundësi e mirë për të treguar se sa i rëndësishëm është për  Maqedoninë anëtarësimi në NATO.

“Në dhjetë muajt e kaluar, punuam çdo ditë që të kthejmë besimin e qytetarëve të Maqedonisë në shtetin e tyre. Por, gjithashtu, edhe të kthejmë besimin që partnerët ndërkombëtarë kanë në Republikën e Maqedonisë. Treguam se fjala e dhënë mbahet dhe ajo që Maqedonia ka paralajmëruar, ajo që po ndërmerr dhe premton, përmbushet. Kjo është një mundësi për të treguar se Maqedonia meriton të jetë anëtare e NATO-s”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.