Decentralizimi dhe buxheti i komunave, BNJVL: Komunat të mbledhin mjetet e tatimeve

26.04.2018 15:13

Decentralizimi, konsolidimi apo stabiliteti financiar i komunave....

Decentralizimi, konsolidimi apo stabiliteti financiar i komunave dhe sigurimi i vendimeve ligjore më adekuate mbeten sfidat kryesore të komunave në Maqedoni, deklaroi kryetari i BNJVL-së, Petre Shilegov, gjatë shënimit të përvjetorit të këtij institucioni. Shilegov theksoi se një numër i madh i komunave vazhdojnë të kenë arkat e zbrazura apo të futura në borxhe.

Por, për tejkalim të këtij problemi ai porositi krerët e komunave që mos të presin mjete vetëm nga qeverisja qendrore, por maksimalisht t’i mbledhin fondet e tyre përmes mbledhjes së tatimit të pronave. 

“Kemi marrë deklarata optimiste nga ana e qeverisë, se fokusi do të jetë në procesin e decentralizimit. Kjo është e rëndësishme për ne, por është më e rëndësishme që ne kryetarët e komunave dhe anëtarët e këshillave të punojmë në evidentimin dhe mbledhjen e të gjitha të ardhurave, të cilat me ligj i takojnë vetëqeverisjeve lokale, me qëllim që të përmirësohet buxheti i komunave. Përmes BNJVL-së do të insistojmë për mbështetje të komunave që kanë xhirollogari të bllokuara, për zhvillim të përshpejtuar rajonal dhe do të kërkojmë mbështetje për projekte infrastrukturore”,- deklaroi kryetari i BNJVL-së, Petre Shilegov.

FAZLIU: MBËSHTESIM PËRFORCIMIN E KAPACITETEVE KOMUNALE

Qeveria nga ana tjerët tregohet e gatshme për të ndihmuar komunat në forcimin e kapaciteteve të tyre financiare. Ministri i pushtetit lokal, Suhejl Fazliu, njoftoi se në fazë të fundit janë ndryshimet për programin e zhvillimit të balancuar rajonal dhe decentralizimi.

“Ky hap si dhe rritja e mbështetjes nga ana e qeverisë për përmirësimin e shërbimeve të komunave, të financuara nga grandet bllok, si dhe rritja e shumës prej 100 milionë denarë për zhvillim të balancuar rajonal, janë vlerësuar pozitivisht edhe në raportin e KE-së. Do të vazhdojmë së bashku me autoritetet lokale për të punuar në forcimin e kapaciteteve të komunave”,- theksoi ministri i pushtetit lokal, Suhejl Fazliu.

Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjeve Lokale shënoi 46 vjetorin e themelimit, ndërsa 26 prilli edhe zyrtarisht është shpallur si “Ditë komunave”. (Ersan Pajaziti, TVM2)