Aksion vullnetar ekologjik, ambasadorët pastrojnë rrethin e lumit Vardar

26.04.2018 15:26

Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ai britanik, Çarls Geret, dhe ambasadori holandez, Vauter Plomp...

Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ai britanik, Çarls Geret, dhe ambasadori holandez, Vauter Plomp, ishin pjesë e aksionit vullnetar ekologjik, me ç’rast u bë mbledhja e mbeturinave në kejin e lumit Vardar. Pjesë e aksionit ishte edhe zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe qytetarë të shumtë.

“I bashkuam të bukurën dhe të vlefshmen dhe edhe një herë u përpoqëm të japim kontributin tonë për uljen e ndotjes, që paraqet problem të madh për njerëzit dhe natyrën. Mënyra e vetme për tejkalimin e problemit është më shumë punë, përkushtim dhe bashkëpunim mes sektorit publik, kompanive dhe qytetarëve. Shpresoj se vitin e ardhshëm nuk do të ketë nevojë të pastroj në këtë lokacion, sepse qytetarët do të jenë të përgjegjshëm dhe nuk do të hedhin mbeturina”,- deklaroi ambasadori i Holandës në Shkup, Vauter Plomp.

“Vetëm dua të them se ky vend në lumin Vardar është një vend shumë i mirë, lumi, bari dhe gjithçka tjetër. Shumë vend i mirë për rekreacion, por mbeturinat e bëjnë të ndotur, prandaj ne sot gjatë aksionit po pastrojmë mbeturinat dhe shpresoj se deri nesër vendi do të jetë më i pastër dhe më i mirë. Njerëzit duhet të sillen më mirë, t’i marrin mbeturinat me vete”,- tha ambasadori i ShBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.

Bëhet fjalë për aksion vullnetar për pastrim, që organizohet për herë të tretë me radhë, ndërsa është pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës së mbretit - Festë nacionale në Holandë. Edhe në dy vitet e kaluara Ambasada holandeze ka organizuar aksion të ngjashëm për pastrimin e liqenit Matka dhe kejin e lumit Vardar. (Gyltene Sinani, TVM2)