Restaurimi i xhamisë së Ali Pashës në Ohër, vazhdojnë ankesat kundër ndërtimit të minares

26.04.2018 15:47

Banorët maqedonas të Ohrit janë kundër ndërtimit të një minareje të re...

Banorët maqedonas të Ohrit janë kundër ndërtimit të një minareje të re, të lartë 32 metra, gjatë rikonstruimit të xhamisë së Ali Pashës, me arsyetimin se ajo do të ndryshonte në tërësi pamjen e pjesës qendrore të qytetit.

Qytetarët kanë mbështetjen edhe të këshillit komunal dhe disa ekspertëve,të cilët vlerësojnë se gjatë rikontruimeve të veprave të vjetra nuk mund të përdoret beton, pasi kështu shkatërrohet trashëgimia kulturore, aq më tepër kur, sipas tyre, në oborrin e xhamisë gjendet edhe një objekt që daton nga krishterizmi i hershëm. Madje, ata thonë se rikonstruimi i xhamisë po bëhet pa leje adekuate.

Nga Këshilli i qytetit u apelojnë autoriteteve të veprojnë për të ndaluar ndërtimin e minares gjatë rikonstruimit të xhamisë. Ata thonë se ankesën do ta drejtojnë deri tek organet kompetente, por këmbëngulin se në qytetin, trashëgimi të UNESKO-s, nuk mund të kryhen veprime të tilla pa një leje paraprake.

Nga BFI më shumë herë kanë sqaruar se restaurimi i XHAMISË së Ali Pashës në Ohër, bëhet në përputhje të plotë me ligjet dhe me projektin e përgatitur i cili ka marrë të gjitha lejet e nevojshme.