Raporti i PPS-së, janë përpunuar rreth 85% e materialeve të përgjuara

26.04.2018 16:00

Komisioni për Çështje Politike në Kuvend ende nuk po arrin të fusë në rend dite....

Komisioni për Çështje Politike në Kuvend ende nuk po arrin të fusë në rend dite raportin për punën 6-mujore të PPS-së.

Në seancën e fundit, deputetët u arsyetuan se nuk e kishin marrë në kohë, në formë të shkruar, raportin. Por, në formë elektronike, raporti prej 49 faqesh, tashmë prej një muaji është i publikuar në ueb faqen zyrtare të PPS-së.

Në këtë raport, Specialja sqaron se nga 15 shtatori deri më 15 mars, gjykata tërësisht ka lejuar 15 aktakuza të PPS-së të dorëzuara në vitin 2017. Në raportin që kryeprokurorja Janeva do të prezantojë para deputetëve, saktësohet se  si rezultat i punës dhe veprimeve të ndërmarra nga PPS janë sjellë aktgjykime për 11 persona të akuzuar dhe janë hapur 7 procedura të reja hetimore kundër 17 personave të tjerë të dyshuar. Pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me keqpërdorime të pozitës dhe autorizimit zyrtar, keqpërdorimin e procedurës për furnizime publike, vepra penale kundër zgjedhjeve, si dhe larje parash.

PPS gjatë kësaj periudhe ka hapur edhe 136 procedura parahetimore, prej të cilave 23 janë ngritur në iniciativë vetanake, ndërsa 113 të tjera në bazë të denoncimit të personave. Prej fillimit të punës së PPS-së dhe përfundimisht me këtë raport, PPS vepron ndaj 235 procedura parahetimore, prej të cilave 53 procedura janë mbyllur ose kanë shkuar në procedurë të mëtejshme hetimore. Prej rrumbullakimit të këtij raporti e deri më sot, PPS informon se janë hapur edhe tre lëndë tjera që kanë të bëjnë me realizimin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni.

Në raportin gjashtëmujor theksohet se PPS disponon me 605.555 xhirime audio, prej të cilave janë përpunuar dhe analizuar 515.572, ose rreth 85% prej tyre, ndërsa janë ndarë 193.753 xhirime audio, sepse kanë të bëjnë me biseda private. Pjesa tjetër të xhirimeve audio do të duhet të përkthehen në gjuhën maqedonase prej personave me certifikatë për informacione të klasifikuara.

Në raportin që prokurorja speciale, Janeva, do të prezantojë në Kuvend, theksohet se PPS përfundimisht ka vendosur bashkëpunim me institucionet, se ekipi i saj në këtë 6-mujor është zgjeruar për 15 të punësuar të rinj dhe se llogaria përfundimtare e PPS-së është paraqitur në Entin për Revizion dhe në Regjistrin Qendror.

Realizimi total i buxhetit  të PPS-së përfundimisht më datën 31.12.2017 është 161.197.380,00 denarë, ose 70.70% prej buxhetit të kësaj prokurorie, ndërsa gjatë vitit të kaluar nuk është realizuar 29.30% nga buxheti i miratuar. (Rexhep Qamili, TVM2)