Maqedoni
Shkupi prezanton ofertën turistike, “Multi etnicitet” përmes valleve maqedonase. Shilegov: Shkupit po ia kthejmë shkëlqimin e vjetër
26.04.2018 16:21
Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, hapi sot sezonin e ri turistik të kryeqendrës duke promovuar edhe linjën e re turistike të transportit urban...

Sheshi i Shkupit gjëmoi nga daullet, muzika dhe vallet tradicionale maqedonase, që u treguan të pranishmëve se Shkupi është qytet tërësisht i pastër etnik.
Të paktën këtë përshtypje të linte prezantimi i sotëm, ku nuk u interpretua asnjë fragment nga kultura e pasur e etniteteve të tjera që jetojnë në kryeqytetin tonë shumëetnik.
Gjithsesi, edhe përkundër mungesës së valleve shqipe, rome, turke, serbe apo boshnjake, ruta turistike e autobusëve synon t’u prezantojë turistëve kulturën e pasur multietnike, kulturore dhe fetare të Shkupit, duke filluar nga Çarshia e Vjetër, deri tek arkitektura e Kenzo Tanges, e lidhur me tërmetin katastrofal, si shenjë e solidaritetit ndërkombëtar me kryeqendrën e Maqedonisë.
Sivjet, në Shkup gjatë verës nuk do të shikohen as të rinjtë e veshur si partizanë e komitë, që nga qeveria e kaluar u përdorën si atraksion shtesë për turistët.
Sipas Shilegovit, me pak kreativitet, Shkupi mund të kthehet në një qendër të denjë turistike, sepse ka potencial të pashfrytëzuar për zhvillimin e turizmit, i cili, nëse përdoret në mënyrën e duhur, do të sjellë përfitime të mëdha sidomos për qytetarët e kryeqendrës.
“Për fat të keq, këto 8 vitet e fundit, oferta turistike e Shkupit u vulgarizua me promovimin e ndërtimeve të projektit kriminal “Shkupi 2014”, që lanë nën hije vlerat e vërteta turistike. Po i kthejmë shkëlqimin e vjetër Shkupit, duke pasuruar edhe ofertën tonë turistike me objektet moderne, që realisht do të tërheqin turistët e huaj. Qëllimi ynë është që turistët që vizitojnë Shkupin, të marrin me vete në vendet e tyre përvojën më të mirë, të denjë për kryeqytetin tonë, sipas shembullit të kryeqendrave të tjera botërore dhe europiane”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
