Maqedoni
NATO, të premten mblidhen ministrat e jashtëm, Stoltenberg: zgjidhni emrin, aktivizojmë ftesën. Për anëtarësim vendosni ju e anëtarët
26.04.2018 16:57
NATO-ja mbetet e përkushtuar në vizionin për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqe...

Politika e NATO-s për dyer të hapura për Ballkanin Perëndimor do të diskutohet edhe në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët do të mblidhen nesër për të bërë përgatitjet për Samitin e korrikut.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shpreson që bisedimet mes Shkupit dhe Athinës do të rezultojnë me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, që Aleanca të mund të vë në zbatim konkluzën e Samitit të Bukureshtit për të ftuar Maqedoninë për anëtarësim.
“Sa i përket çështjes së emrit, bisedova me kryeministrin Zoran Zaev, kur isha na Shkup para disa javësh. Gjithashtu kam biseduar me kryeministrin grek Cipras. E kam mirëpritur dhe shpresoj që dialogu që po zhvillohet mes Athinës dhe Shkupit mund të çojë deri në një zgjidhje për emrin, të pranueshme për të dyja palët. Pasi atëherë do të jemi të gatshëm të ftojmë FYROM-in të bëhet anëtare e Aleancës. Për këtë jemi pajtuar që në vitin 2008 dhe ky vendim qëndron ende”,- tha sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Stoltenberg, komentoi edhe kërcënimin rus se po të bëhet Maqedonia vend anëtar i NATO-s do të shndërrohet në “qëllim legjitim për Rusinë”. Sipas tij, anëtarësimi i vendeve në Aleancë është përcaktim ekskluziv i vendeve përkatëse dhe vendim i vendeve anëtare.
“Është me rëndësi të theksojmë se është e drejtë e çdo vendi që të zgjedh rrugën e vet. Shkupi, vet duhet të zgjedh rrugën e tij nëse do të bëhet anëtar i NATO-s. Ky është vendim i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe 29 vendeve anëtare”,- tha sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
NATO-ja e cilëson sjelljen e Rusisë në vitet e fundit si “model të një sjelljeje të rrezikshme”. Për këtë arsye, në takimin e së premtes ministrat do të fukosojnë diskutimin për Rusinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.
Politikat e NATO-s për dyer të hapura për Ballkanin perëndimor dhe progresi në Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Gjorgji si dhe interesi i Ukrainës për anëtarësim do të diskutohet në margjina të takimit.
SHPËTIM NUREDINI
