Maqedoni

Gostivar - “Raporto.mk”, raportoni problemet online

26.04.2018 17:12

Prej sot, qytetarët e komunës së Gostivarit mund të raportojnë në mënyrë të lehtë ankesat e tyre për problemet e kategorive...

Prej sot, qytetarët e komunës së Gostivarit mund të raportojnë në mënyrë të lehtë ankesat e tyre për problemet e kategorive, siç janë: mbeturinat, gropat në rrugë, ndotësit e ajrit, ndriçimi publik, trotuaret e dëmtuara, rrugët e papastruara nga bora dhe akulli, si dhe problemet e tjera komunale me të cilat ballafaqohen në vendet ku banojnë dhe gravitojnë.
 
Kjo falë vënies në funksion të Platformës online Raporto.mk.,  kryetari i komunës, Arben Taravari, theksoi se zbatimi i një platforme të tillë i ka lindur si ide gjatë vizitës në Bashkinë e Tiranës, ku tashmë implementohet një platformë e ngjashme e quajtur “Tirana ime” dhe ka vendosur që komuna e Gostivarit të jetë pilot komuna e parë në Maqedoni, ku do të vihet në funksion Platforma Raporto.mk. 
 
Platforma është pjesë e Projektit "Qytetarët për komunën: së bashku për transparencë dhe përgjegjësi", i zbatuar nga Sh. Q. NEXUS- Koncepti Civil dhe pjesërisht i mbështetur me grand nga Ambasada e ShBA-ve në Shkup.
 
“Plani ynë është që pas një periudhe të përdorimit të suksesshëm të kësaj platforme nga ana e qytetarëve të Gostivarit, e njëjta të aplikohet edhe në komunat tjera më të mëdha urbane në Maqedoni, ku komuna e Gostivarit do të shërbejë si një shembull pozitiv”,- theksoi kryetarja e Nexus CC, Afrodita Musliu.
 
Përmes Platformës Raporto.mk, komuna e Gostivarit do të përpiqet që me resurset njerëzore me të cilat disponon, të zgjidhë sa më shpejt problemet që i raportojnë qytetarët.
 
LULZIM HAZIRI