Maqedoni
Rasti “Monstra”, protestë para gjykatës, kërkohet zbardhja e rastit
26.04.2018 17:58
Në një protestë para Gjykatës Themelore në Shkup, qytetarët, kryesisht të etnitetit maqedonas...

Në një protestë para Gjykatës Themelore në Shkup, qytetarët, kryesisht të etnitetit maqedonas, kërkuan zbardhjen e plotë të rrethanave që shkaktuan vdekjen e pesë të rinjve në liqenin e Smillkovës.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime të cilat i dedikoheshin kryeministrit, Zoran Zaev. "A po fle i qetë Zaev?", "A keni ëndërruar për viktimat e liqenit të Smilkovës?" ishin disa nga mbishkrimet drejtuar kryeministrit, i cili para se të vinte në pushtet, premtoi zbardhen e plotë të rastit “Monstra”.
Të mobilizuar përmes rrjeteve sociale, protestuesit shprehën mllefin e tyre ndaj pasivitetit të gjyqësorit dhe lirimin e të burgosurve shqiptarë në lidhje më këtë rast.
“Duhet më në fund organet më të larta ta zbardhin rastin. Ata që janë në pozitën e gjykatësve, të jenë më efikas dhe ta zbardhin rastin deri në fund. Nëse ata nuk janë në gjendje për këtë gjë, le ta bëjë dikush tjetër”,- theksoi një protestues.
“Kam dalë në protestë si mbështetje dhe kërkojmë drejtësi. Disa prej tyre i kam njohur personalisht. Më vjen keq për prindërit e tyre që ndihen keq dhe duam që drejtësia të dalë në shesh”,- tha një protestues.
“Ata të cilët u akuzuan për vrasjen nuk janë fajtorë, por disa janë të lëshuar në liri dhe disa në burgim shtëpiak, për të cilët nuk mendojmë se është e drejtë. Kërkojmë që fajtorët të ndëshkohen”,- theksoi një protestues.
Familjarët e të vrarëve në liqenin e Smillkovës nuk ishin pjesë e protestës dhe paraprakisht apeluan që vdekja e djemve të tyre të mos keqpërdoret për qëllime politike.
SEDAT SELIMI
