Maqedoni

Rasti “Monstra”, VMRO akuzon Zaevin se luan me ndjenjat e familjarëve. Zaev mbrohet: gjithçka që kisha, e kam dorëzuar në prokurori

26.04.2018 18:45

VMRO–DPMNE-ja opozitare ka akuzuar kryeministrin, Zoran Zaev, se ka manipuluar me ndjenjat e prindërve të djelmoshave të ndjerë të vrarë në rastit “Monstra”...

VMRO–DPMNE-ja opozitare ka akuzuar kryeministrin, Zoran Zaev, se ka manipuluar me ndjenjat e prindërve të djelmoshave të ndjerë të vrarë në rastit “Monstra” me mospublikimin e dëshmive të dala nga përgjimet.
 
Në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve, deputeti i VMRO-së, Zoran Ilioski, kërkoi nga Zaev të deklarohet për përgjegjësi morale, pasi dëshmitë në vend se të zbardhin rastin, po zbulojnë një marrëveshje për ndarje subvencionesh.
 
“Ju si opozitarë, prindit të njërit nga djelmoshat e ndjerë i keni thënë se keni materiale të përgjuara për një të akuzuar, me të cilin dëshmohet dhe ndriçohet rasti. Dëshmitë a e zbardhin me të vërtetë vrasjen, ose në fund do të shohim se ato dëshmi do të na tregojnë se çfarë ka ndodhur në procesin e ndarjes së subvencioneve për atë që është në ato bisedime? Nëse kjo e  dyta është e saktë, a ndjeni përgjegjësi morale pasi manipuluat ndjenjat e prindërve të atyre fëmijëve”,- tha Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.
 
Kryeministri Zaev u shpreh se qeveria aktuale, për dallim nga e kaluara, është transparente sa i përket rastit “Monstra”. Zaev tha se bisedat që i ka pasur i ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ku ka indikacione serioze për zbardhjen e vrasjes.
 
“Qeveria e kaluar, e cila duke tentuar që të jetë efektive në zbardhjen e rasteve, ka dakorduar arrestime të njerëzve pa dëshmi. E njëjta qeveri si pas dhjetë muajve do të prezantojë agjendën e përgatitur, një rrëfim të mirë për opinionin. Nëse Zoran Zaev do të kishte dëshmi konkrete, besoni se si çdo “bombë”, edhe atë “bombë” do ta publikoja deri në fund, por aty ka indikacione serioze, që kisha obligim të kompletuar ta dorëzoj në PPS”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Qeveria Zaev u kritikua edhe për moszbardhjen e vrasjeve të tjera. Por, kryeministri Zaev nënvizoi se nga fillimi i 2017-s nga 22 vrasje janë zbardhur 20.
 
Opozita kritikoi edhe mungesën e një pjese të ministrave të kabinetit qeveritar pasi mbetën pa përgjigje.
 
Pyetjet e deputetëve nisën me muzikë popullore nga deputetët e VMRO-së. Koordinatori i këtij grupi parlamentar, Dragan Danev, tha se ky është fundi i ahengut dhjetë ditor që e ka nisur qeveria Zaev me marrjen e raportit.
 
“Kjo është në frymën e ahengut dhjetëditor të shumicës parlamentare me hyrjen kinse të Maqedonisë në BE dhe në NATO, vetëm që qytetarët të harrojnë premtimet parazgjedhore, se mjekët do të kenë rrogën 100 mijë denarë, se profesorët dhe administrata do të marrin rroga më të larta, njashtu edhe pensionistët. Kjo bëhet për t’u harruar premtimet për zbardhjen e korrupsionit në qeveri, ndërkaq edhe vetë Mogerini tha se as gjysmë ore mos të humbet kundrejt një raporti të tillë. Një apel për të gjithë përfunduan ahengjet dhe të filloni të punoni”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
 
Deputetët e VMRO-së nuk morën pjesë në koktejin e organizuar në kuvend, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të mundnin që të pyesnin ministrat për çështje të caktuara.
 
MERAL ISMAILI