Maqedoni
Integrimi euroatlantik i Maqedonisë, Pendarovski: Perëndimi nuk i humbi shpresat; Bartoli: Maqedonia në NATO, sapo ta zgjidhë emrin; Ambasadorët: reformat të realizohen në tërësi
26.04.2018 18:59
Koordinatori kombëtar për në NATO, Stevo Pendarovski, tha se Perëndimi nuk humbi shpresa për kthimin e Maqedonisë në Europë dhe në NATO...

Koordinatori kombëtar për në NATO, Stevo Pendarovski, tha se Perëndimi nuk humbi shpresa për kthimin e Maqedonisë në Europë dhe në NATO, aty ku e ka vendin, duke shtuar se modeli i demokracisë perëndimore është sistem më i mirë nga të gjithë të mbeturat.
Pendarovski theksoi se kohën e fundit vendi ka realizuar shumë reforma demokratike pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe se integrimi në NATO dhe në BE do të ishte produkt i brendshëm dhe jo dhuratë.
Pendarovski potencoi se gjithsesi vazhdon propaganda e keqpërdorimit të kontestit të emrit të Maqedonisë dhe Greqisë, dhe keqinformimi i opinionit rreth politikave eurointegruese të vendit.
“Alternativat për integrim euroatlantik i shohim në rajon disa vite dhe modelet liberale të autokrateve të personalizuara i abuzojnë dallimet lokale dhe heterogjenizmin e rrethit, me qëllim që të tregojnë se variantet perëndimore të demokracisë liberale nuk sjellin prosperitet. Në Maqedoni modele të këtilla të importuara i abuzojnë raportet ndëretnike, kohën e fundit e abuzojnë edhe çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Më shpesh, nëpërmjet lajmeve të rreme dhe propagandës së paguar politike, na bindin se devijime të caktuara në funksionimin e shoqërisë perëndimore, të cilat edhe ekzistojnë, në fakt janë rregull në BE”,- tha koordinatori kombëtar për në NATO, Stevo Pendarovski.
Ndërkohë, shefi i misionit të NATO–s në Shkup, Gozard Bartol, tha se Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s sapo ta zgjidh çështjen e emrit me Greqinë.
“NATO-ja e fton vendin tuaj të kyçet në Aleancë, menjëherë pasi të gjendet zgjidhja e pranueshme me kontestin e emrit në mes Greqisë dhe Maqedonisë në kuadër të bisedimeve me Kombet e Bashkuara. NATO-ja është e interesuar për bashkëpunim me vendet të cilat nuk janë pjesë e saj, por reformat të cilat kërkohen dhe janë të nevojshme për anëtarësim, janë komplekse dhe të vështira, kërkojnë kohë dhe mjete financiare”,- theksoi shefi i misonit të NATO-s në Shkup, Gorazd Bartoll.
Ambasadorët e dy anëtareve kyçe të BE-së, Gjermanisë dhe Francës, theksuan nevojën për realizimin në tërësi të reformave të nevojshme.
“E gjithë shoqëria duhet të angazhohet në procesin e reformave. Implementimi i reformave duhet të kompozohet në bazë të ekspertizave dhe interesave legjitime dhe jo në bazë të përkatësive politike. Është gjithashtu kyçe që procesi i reformave të jetë gjithëpërfshirës, opozita duhet patjetër të përfshihet si pjesë e demokracisë funksionale”,- theksoi ambasadori i Gjermanisë, Tomas Norbert Gerberih.
“Brenda një viti vendi juaj ka përparuar shumë, megjithëkëtë ka edhe shumë punë për t’u bërë, p.sh. në lidhje me kulturën e kompromisit. Duhet të dalim nga alternativa se ose duhet të ndodh integrimi, ose të ndodhin luftëra në vendet e ish-Jugosllavisë. Ky konstatim nuk i shërben askujt. Duhet të gjendet rruga e mesme dhe ajo është rruga e optimizmit dhe durimit dhe ne jemi këtu t’u ndihmojmë”,- theksoi ambasadori i Francës, Kristijan Timonie.
Ndërkohë, për Qeverinë e Maqedonisë muajt në vijim janë vendimtarë për të ardhmen e vendit. Ajo pret nga Këshilli Europian që në Samitin e qershorit t’i japë datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa në korrik në Samitin e Aleancës në Bruksel të marrë ftesë për integrim në NATO.
FARIJE DAUTI BAKIJU
