Maqedoni
Shoqata e Gjykatësve dhe Ambasada e ShBA-së, promovuan botimin “Analiza ligjore”. Saiti: gati kundërargumentet për parashtresat e Këshillit Gjyqësor
26.04.2018 19:13
Shoqata e Gjykatësve të Maqedonisë në bashkëpunimin me Ambasadën e ShBA-ve, promovoi botimin “Analiza ligjore”...

Shoqata e Gjykatësve të Maqedonisë në bashkëpunimin me Ambasadën e ShBA-ve, promovoi botimin “Analiza ligjore” në kuadër të projektit “Forcimi i pavarësisë së gjykatësve në Republikën e Maqedonisë dhe përmirësimi i kapaciteteve gjyqësore”.
Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemail Saiti, u përqendrua në analizën e politikës penale në gjykatat në Maqedoni dhe zbatimin praktik të Ligjit për përcaktimin e tipit dhe matjen e lartësisë së ndëshkimit, si dhe zbatimin e masave alternative.
“Projekti ka filluar një vit më parë. U realizua nëpërmjet ekzaminimit të mendimit publik të gjyqtarëve, është bërë analizë e mbi 1,500 gjykimeve dhe materialeve të tjera, që ka të bëjë me politikën ndëshkuese dhe ndryshimin e ligjeve për gjobat”,- tha kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemail Saiti.
Kryetari Shoqatës së Gjykatësve, Xhemail Saiti, kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, dhe katër gjykatës të tjerë kanë marrë raportin nga Këshilli Gjyqësor për propozimin e shkarkimit të tyre për vendimin e marrë rreth lirimit nga paraburgimi të biznesmenit, Sead Koçan, kur ai ishte në arrati. Saiti thotë se janë duke përgatitur kundërargumentet për mosshkarkim.
“Do të vijojnë afatet për përgjigje ndaj kësaj parashtrese. Shpresoj se do të gjendemi, thënë kushtimisht, në sallën gjyqësore të quajtur Këshill Gjyqësor dhe aty do t’i ballafaqojmë argumentet lidhur me parashtresën e Këshillit për fakte”,- theksoi kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemail Saiti.
Gjykata Penale në mars të vitit 2017 mori vendimin për paraburgimin e biznesmenit, Sead Koçan, në rastin e Prokurorisë Speciale “Trust”. Sead Koçan akuzohet nga Prokuroria Speciale për falsifikim të dokumenteve ku ka fituar tenderin nga kompania shtetërore ELEM në vlerë prej 17 milion euro.
GAZMEND REXHEPI
