MOGERINI NË SHKUP

Mogerini: Vendimin për emrin duhet ta merrni ju

25.07.2014 16:33

Vizita e Mogerinit në Shkup, është pjesë e turit që ajo po bën në Ballkan, pasi Italia mori kryesimin me BE-në......

Italia, si kryesuese e BE-së, ofron mbështetje të fuqishme politike dhe diplomatike për zgjidhjen e kontestit rreth emrit, por hapat konkret duhet të ndërmerren nga vendet që kanë kontestin dypalësh, thotë ministrja e Jashtme e Italisë, Federika Mogerini. Këtë e dinë të gjithë aktorët politik, tha ajo pas takimit me ministrin Poposki.     

“E dimë që çështja e emrit është kruciale, kjo nuk është në dorë të Italisë, por Italia do të jetë më shumë se e gatshme që të asistojë dhe të shoqërojë të gjitha përpjekjet që do të bëhen në këtë drejtim, në muajt në vazhdim. Gjithashtu duam t’ju inkurajojmë dhe të shohim zhvillime pozitive në dialogun e brendshëm në Shtet pas zgjedhjeve”- deklaroi ministrja e Jashtme e Italisë, Federika Mogerini.

Italia dëshiron të mbështesë procesin e reformave që ky vend ka treguar gatishmëri të ndërmarrë edhe para kësaj Qeverie, jo vetëm për integrimin në BE, por para së gjithash, për të mirën e qytetarëve të saj, theksoi Mogerini.

Ndërkaq, ministri Popovski, falënderoi Italinë për mbështetjen që po i jep vendit në procesin euro-integrues, por kërkoi përkushtim më të madh nga vendet e BE-së, për të zgjidhur kontestet dypalëshe mes vendeve anëtare dhe vendeve aspirante, në frymën e vlerave mbi të cilat është ndërtuar kjo familje.    

“Sa i përket kontestit rreth emrit, dihet se fillimi i bisedimeve pezullohet disa herë për shkak të mungesës së pajtueshmërisë nga të gjitha vendet anëtare. Vlerësojmë se duhet përkushtim nga të gjitha palët dhe të gjitha vendet anëtare, drejt plotësimit të obligimeve ndërkombëtare dhe mbajtjen e frymës, vlerave dhe parimeve bazë mbi të cilat është themeluar BE”- theksoi ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki.

Gjatë vizitës së saj njëditore, Mogerini u prit edhe nga presidenti, Gjorge Ivanov, kryeministri, Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.

Vizita e Mogerinit në Shkup, është pjesë e turit që ajo po bën në Ballkan, pasi Italia mori kryesimin me BE-në. (Shpëtim Nuredini, TVM2)