Një vit nga 27 prilli i përgjakshëm në Kuvend, drejtësia ende pritet të thotë fjalën e fundit
“Të nderuar qytetarë, edhe pse në këto rrethana, në këtë moment historik...

“Të nderuar qytetarë, edhe pse në këto rrethana, në këtë moment historik, po bëhet zgjedhja e kryetarit të parë shqiptar të Parlamentit të Maqedonisë, që nga Pavarësia e saj, i vetëdijshëm për përgjegjësinë historike, betohem se puna parësore në Parlament, në interes të qytetarëve, është krijimi i institucioneve, që do të funksionojnë në bazë të Ligjit dhe Kushtetutës. Si kryetar i sapozgjedhur i Parlamentit, edhe pse në këto rrethana, në asnjë moment nuk do të lejoj uzurpimin e institucioneve”,- tha kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Ishte ky fjalimi i kryeparlamentarit të parë shqiptar të Kuvendit republikan, dhënë më 27 prill 2017, ditë kjo që hyri në histori, jo për faktin e ndryshimit të mentalitetit të politikbërjes, ku shqiptarët morën postin e dytë më të lartë në vend, por si “e enjtja e përgjakur”.
Pas këtij fjalimi, institucioni më i lartë ligjvënës u sulmua në mënyrën më të dhunshme të mundshme. Gjithçka nisi me përpjekjen më shumë se njëmujore të VMRO-së për pengimin e zgjedhjes së Xhaferit në karrigen e parë në kuvend, gjatë të cilës deputetët e opozitës së re u paraqitën me fjalime të ripërsëritura maratonike. Kreu i shumicës së re parlamentare, Zoran Zaev, paralajmëroi se zgjedhja do të bëhet edhe nëse VMRO nuk e lejon votimin në sallë, shumica do ta zgjedhë kryeparlamentarin e ri, në secilën hapësirë të kuvendit.
“Kjo shumicë ka të drejtë dhe detyrim të zgjedhë kreun e Kuvendit nga radhët e saj. Dhe këtë do ta bëjë këtu në këtë sallë, në ndonjë nga allat e tjera të Kuvendit, në korridor, në shkallë...”- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ky fjalim, i përsëritur më pas edhe në pres qendër, tensionoi edhe më shumë situatën edhe ashtu të nxehtë në Kuvend. Deputetët e VMRO-së filluan të këndojnë himnin e Maqedonisë, kurse deputeti i Besës, Zeqirja Ibraimi, në foltore këndoi himnin shqiptar.
Rreth orës 18:00, ish kryeparlamentari Velianovski përfundoi seancën e rregullt të ditës dhe u ndërpre si zakonisht në fund të seancave të zakonshme edhe transmetimi i drejtpërdrejtë në kanalin parlamentar. Por, për deputetët ishte e qartë se kjo nuk ishte ditë e zakonshme. Përkundër mbylljes së ditës së punës, deputetët vazhduan të mbesin në sallë, në një situatë elektrizuese. Mes këtij elektrizimi, më pas, deputeti më i vjetër, Ferid Muhiq, lexoi rregulloren e Kuvendit, shumica ngriti duart dhe Talat Xhaferi vuri firmën në dokumentin zyrtar.
Në mungesë të transmetimit në kanalin kuvendor, opinion ndoqi live përzgjedhjen e Xhaferit, përmes rrjeteve sociale, të cilat mbuluan mungesën e transmetimit mediatik nga kanali televiziv që e ka si obligim ligjor ta bëjë të njëjtin.
Situata e tensionuar brenda kuvendit shoqërohej me një situatë para shpërthimit jashtë shtëpisë ligjvënëse. Qytetarët hynë në Kuvend nga dyert kryesore të tij, që u hapën nga deputetët e VMRO-së. Ata u përballën me një sigurim, që nuk bëri asgjë për të mbrojtur shtëpinë ligjvënëse dhe të zgjedhurit e popullit. Turma mbushi korridoret, shkallët dhe sallën plenare. Por, përgjakja e asaj të enjteje filloi në pres qendrën e kuvendit, kur turma sulmoi dhe përgjaku deputetët. Më së keqi e pësoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili një kohë të gjatë u trajtua në spital për shkak të lëndimeve të rënda, para së gjithash në kokë. Lëndime pësoi edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ministrja aktuale e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, dhe shumë deputetë dhe zyrtarë tjerë të lartë të Qeverisë së tanishme.
Me akuzën për terrorizëm përballen 28 persona, përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë, si ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, pesë deputetë të VMRO-së që ndihmuan në hapjen e dyerve të Kuvendit, si dhe drejtues të grupit protestues. Por, ende opinioni nuk e ka të qartë se kush në të vërtetë qëndron pas urdhërdhënies së sulmit ndaj deputetëve.
Proceset gjyqësore vazhdojnë edhe një vit pas, askush nga organizatorët nuk është përgjigjur para ligjit. “E enjtja e përgjakur” nxori në pah se sa e brishtë është siguria në Maqedoni, edhe për ata që mbrohen nga imuniteti. (Migena Gorenca, TVM2)
