Maqedoni

Vitin e kaluar 14 viktima në vendin e punës, MPPS: inspektorët, kontrolle në kompani

27.04.2018 16:27

Punëtorët në Maqedoni shumë herë janë viktima në vendet e tyre të punës...

Vitin e kaluar në vendin e tyre të punës jetën kanë humbur 24 persona, bëjnë të ditur nga Shoqata për siguri dhe mbrojtje në punë. Ndërkohë, 400 persona janë lënduar në vendet e tyre të punës. 
 
“Gjatë vitit 2017, 24 persona kanë humbur jetën e tyre në vendin e punës, që paraqet një shifër të madhe, andaj dita e sotme ka për qëllim të rikujtojë se dhe më tej vendet e punës në Maqedoni sjellin viktima pa lënë anash edhe numrin e të lënduarve dhe të sëmurëve në vendin e punës”,- tha kryetari i Shoqatës për siguri dhe shëndet në punë, Milan Petkovski.
 
“Numri i të lënduarve varion nga viti në vit dhe statistikat numërojnë mbi 400 të lënduar me lëndime të lehta apo të rënda ose me raste vdekjeje”,- theksoi drejtori i Inspektoratit të punës, Alajdin Havyiu.
 
Profesione më të rrezikuara janë bujqësia apo ndërtimtari dhe të punësuarit në metalurgji, thonë nga Shoqata për siguri dhe mbrojtje në punë. 
 
Ndërkohë, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale pohojnë se zyrtarisht vitin e kaluar kanë humbur jetën 14 persona në vendin e punës, por nga kjo ministri thonë se po punohet për rritjen e sigurisë në punë.
 
“Në vitin 2017 kemi 14 raste të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendet e punës, ndërsa tre vite më parë kemi pasur shifër prej 24 punëtorësh që kanë humbur jetën. Kemi sjellë strategjinë për siguri në punë dhe këshilli punon në realizimin e mbikëqyrjeve inspektorale, me ç’rast janë kryer 7400 kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme”,- theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
 
Ndërkohë, udhëheqësia e Minierës “Sasa” dhe Sindikata multietnike kanë zhvilluar negociata me kërkesën për rritjen e pagave.
 
Pas grevës dyditore të të punësuarve, Miniera “Sasa” ka ofruar 5500 denarë rritje të pagave, por ende nuk dihet se a do të arrihet marrëveshje.
 
FLUTURA LATIFI