Maqedoni
Xhaferi - Zaev: dhuna e 27 prillit të mos përsëritet kurrë. Përkujtimi i 27 prillit në Kuvend, ASh gur të përgjakur para kuvendit
27.04.2018 18:25
27 prilli është gjëja më e keqe që mund t’i kishte ndodhur Maqedonisë prej shpalljes së pavarësisë...

27 prilli është gjëja më e keqe që mund t’i kishte ndodhur Maqedonisë prej shpalljes së pavarësisë, ishte konstatimi i përbashkët i kreut të Parlamentit, Talat Xhaferit dhe kryeministrit, Zoran Zaev.
Xhaferi, Zaevi dhe deputetët e tjerë në pres-konferencën e përbashkët përkujtuan 27 prillin në Kuvend me shpresë që e njëjta të mos përsëritet kurrë.
“Nuk mundesha të mendoj që dikush nga brenda do të jetë ai që do të hapë dyert që ajo masë e tërbuar e qytetarëve të futet brenda dhe të rrezikojë jetën e deputetëve. Për fat të keq ndodh që të konstatojmë se pjesë e hapjes së dyerve ishin kolegët tanë, deputetë të zgjedhur po ashtu si ne me votën e qytetarëve. Unë si kryeparlamentar jam në gjendje që t’i fal ata për faktin që mendojmë për të ardhmen dhe për të mirën e qytetarëve e institucioneve të vendit. Sidoqoftë nuk mund ta kuptoj mosveprimin e atyre pjesëtarëve institucionalë të MPB-së që nuk vepruan a ishin të detyruar, të obliguar dhe të betuar për të vepruar”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
“Sot ende nuk mund të pranoj se disa prej sulmuesve, për të realizuar planin monstruoz, kanë qenë të gatshëm të likuidojnë disa prej anëtarëve të Kuvendit. Por, në sytë e tyre pashë urrejtje të madhe dhe qëllim për marrjen e jetëve të njerëzve. Ajo që ndodhi më 27 prill në Kuvend ishte arrogancë, dëshpërim dhe lakmi të atyre që ishin vendosur të mbajnë pushtetin me çdo kusht”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaevi dhe Xhaferi përjashtuan mundësinë për amnistimin e sulmuesve të 27 prillit.
“Ligjvënësi nuk mund të vijë në situatë të paqartësueshme, deri në fund të mendojë, të veprojë dhe të miratojë akt me të cilin insitucionalisht do të falnin veprën e tyre, për faktin që në institucionet ligjvënëse nuk ballafaqohen njerëzit, nuk gjykohen njerëzit, por gjykohen veprat, kjo është filozofia juridike e sistemit të së drejtës dhe drejtësisë”,- theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
“Unë nuk dua të mendoj se dikush po planifikon se mund të miratohet ligj për amnisti për ngjarjet e 27 prillit. Nëse e bëjnë këtë, atëherë këta njerëz pas meje do të më kthehen kundër meje, nëse jo ata, ju, përfaqësuesit e medieve, do ta bëni atë, nëse nuk e bëni ju, atëherë qytetarët do të ngrihen kundër meje. Ligjet dhe sundimi i së drejtës duhet, vlen për të gjithë, ndërsa ndëshkimi duhet ekzistuar për këto ngjarje”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Në përkujtimin e ngjarjes së përgjakshme të 27 prillit, simpatizuesit e Aleancës për Shqiptarët në krye me liderin e kësaj partie, Ziadin Selën, në hyrje të kuvendit vendosën një gur të përgjakur, i cili simbolizon tentimin për vrasjen e Selës.
REXHEP QAMILI
