Botë

Brezi kufitar Panmunxhon, takimi historik i presidentëve të dy koreve

27.04.2018 19:14

Liderët e Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, Mun Xhae -in dhe Kim Jong-un, me takimin historik kanë hapur një epokë të re...

Liderët e Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, Mun Xhae -in dhe Kim Jong-un, me takimin historik kanë hapur një epokë të re në marrëdhëniet mes dy shteteve që ende zyrtarisht janë në luftë.

Pasi Kim kaloi vijën e demarkacionit të zonës, i bëri thirrje presidentit Mun për një moment të vijë në territorin e Koresë së Veriut.

Ai atë e bëri edhe pse nuk ishte pjesë e protokollit të përcaktuar paraprakisht.

Të dy liderët më pas u kthyen në territorin e Koresë së Jugut, ku u përgatit një ceremoni solemne për të mirëpritur paraqitjen e anëtarëve të të dy delegacioneve. Kim Jong-un dhe Mun Xhae -in e filluan pjesën e pasdites së samitit me një ceremoni të mbjelljes së një peme në zonën e çmilitarizuar.

Takimi rezultoi me paralajmërimin se Koreja e Veriut e ajo e Jugut do të firmosin këtë vit Traktatin e Paqes, që i jep fund zyrtarisht konfliktit të armatosur mes dy vendeve.

Dokumenti i quajtur “Deklarata Panmunjom për paqe, prosperitet dhe bashkim në Gadishullin korean” u bë publik pas një dite të ngjeshur takimesh dhe një bisedë private prej 30 minutash mes Kim Jong-unit dhe Moon Jae-init.

“Dy udhëheqësit pohojnë solemnisht se nuk do të ketë më luftë në gadishullin Korean dhe një epokë e re e paqes ka filluar”,- thuhet në deklaratë.

Takimi prodhoi edhe një tjetër zotim të rëndësishëm: udhëheqësit e të dy vendeve kanë pranuar të punojnë së bashku për denuklearizimin e gadishullit.

Takimi i nivelit të lartë vjen përpara atij që do të përbëjë zhvillimin më të beftë që dikush mund të imagjinonte përpara pak muajsh: përballjen e Kim Jong-unit me presidentin amerikan, Donald Trumpin.

Kjo është hera e parë që lideri i Koresë së Veriut kalon në territorin e Koresë së Jugut që nga fundi i Luftës Koreane 1950-1953.

Lufta formalisht nuk ka përfunduar, por të dyja palët po përgatiten që deri në fund të vitit të nënshkruajnë një marrëveshje që zyrtarisht t’i japin fund.