Europol sulmon mediat e IS-it në internet
Agjencia evropiane e policisë Europol ka kryer një operacion ndërkombëtar që i ka shkaktuar "goditje të mëdha"...

Agjencia evropiane e policisë Europol ka kryer një operacion ndërkombëtar që i ka shkaktuar "goditje të mëdha" propagandës së grupit militant “Shteti Islamik” në internet.
Specialistë të kibernetikës në vende të ndryshme të Europës, në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara, kanë shënjestruar ueb-faqet e tij online, përfshirë Agjencinë e lajmeve Amaq, e cila është parë si zëdhënëse kryesore e “Shtetit Islamik”.
Europol-i tha se ka konfiksuar prova digjitale dhe serverë dhe se xhihadistët e “Shtetit Islamik” tani mund të identifikohen.
Shtetet e BE-së, të përfshira në operacionin e Europol-it, që u zhvillua nga data 25 deri më 26 prill, kanë qenë: Belgjika, Bullgaria, Franca, Holanda, Rumania dhe Britania e Madhe.
Europol tha se të dhënat e marra pritet të ndihmojnë policinë që të identifikojë administratorët e mediave të “Shtetit Islamik” dhe "individë potencialisht të radikalizuar".
